Princesha Elia dhe Princi Leka kanë vizituar sot Qendrën e Zhvillimit të bashkisë së Shkodrës.

Ata janë pritur dhe shoqëruar gjatë vizitës së tyre nga kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi.

Princesha Elia dhe Princi Leka janë njohur me transformimin e bërë në këtë qendër, fakt që e konstatuan edhe ata vetë nisur nga vizita e tyre e fundit. Së bashku me Ademin, ata kanë vizituar të gjitha mjediset e kësaj qendre, kanë komunikuar me banorët e veçantë të saj si dhe me stafin.

Fondacioni “Mbretëresha Geraldinë” ka mbështetur rikonstruksionin e ambienteve të mensës, kuzhinës dhe tualeteve të qendrës, ndërsa janë shprehur të gatshëm të vazhdojnë kontributin e tyre.

Nga ana e saj, kryebashkiakja Ademi i ka falënderuar për kontributin e dhënë dhe mbështetjen në vijimësi të Qendrës së Zhvillimit.J.J