Partia Demokratike ka reaguar pas një paralajmërimi që kryeministri Edi Rama iu bëri kryebashkiakëve të PD-së, të cilët duan të sabatojnë procesin zgjedhor të 30 qershorit. Ajo që është interesante në përgjigjien e PD-së, është që për herë të parë partia e drejtuar nga Lulzim Bashës, jep sinjale se kërkon të marrë pjesë në zgjedhjet vendore.

PD thotë se po pret datën e re që do ta caktojë Ilir Meta, duke u tërhequr kështu nga qendrimi që nuk hyn në zgjedhje me Ramën kryeministër. “Zoti kryeministër! Je kokë e këmbë në paligjshmëri!

Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse, për sa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë.

Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri! Zoti kryeministër, kur presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale.

Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne! Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE-në”, thuhet në reagimin e PD-së.(TemA)