Presidenti Ilir Meta ka dekretuar mbrëmjen e së mërkurës 4 emrat e ministrave të rinj të propozuar nga kryeministri Edi Rama.

Në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të vendoset Anila Denaj, e cila do të zëvendësojë Arben Ahmetaj. Ndërkohë, Besa Shahini do të vendoset në krye të postit të Ministrisë së Arsimit, ku deri më tani ka qenë Lindita Nikolla.

Elva Margariti, një tjetër emër ky i dekretuar, do të vendoset në krye të Ministrisë së Kulturës, ku ka qenë deri më 5 janar Mirela Kumbaro. Emri i katërt i dekretuar nga presidenti i vendit, për të qenë në krye të Ministrisë të Infrastrukturës dhe Energjisë, duke zëvendësuar kështu Damian Gjiknurin, është ai i Belinda Ballukut.

Kërkesat për ndryshime në qeveri, kryeministri Edi Rama ai ka dorëzuar personalisht presidentit Ilir Meta më datë 4 janar.

Pas një takimi të shkurtër mes kryeministrit dhe presidentit, në tryezën e këtij të fundit ngelën 8 kërkesa për lirim ministrash dhe të zëvendëskryeministres dhe 8 të tjera për pasuesit e tyre, si dhe një kërkesë e 9-të për të rikthyer ministrinë për marrëdhëniet me parlamentin.

Më datë 5 janar, presidenti Ilir Meta firmosi  lirimin e të gjithë ministrave të propozuar nga Rama, me përjashtim të Ditmir Bushatit. Presidenca nuk i ka bërë me dije arsyet e këtij diferencimi, teksa u publikuan dekretet e lirimit të Senida Mesit, Lindita Nikollës, Sonila Qatos, Mirela Kumbaros, Arben Ahmetajt, Damian Gjiknurit dhe Niko Peleshit.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here