Presidenti i Benficas, Luis Filipe Vieira, ka insistuar se paraja nuk paraqet problem për klubin e tij në përpjekje për ta joshur Jose Mourinhon ta marrë drejtimin e skuadrës. Mourinho është i papunë pasi u shkarkua nga Manchester Unitedi muajin e kaluar, duke i dhënë fund qëndrimit dyvjeçar e gjysmë në “Old TrafforD”.

Trajneri portugez – për të cilin është folur se mund të ribashkohet me njërën nga dy ish-skuadrat e tij Real Madrid apo Inter – bëri emër me rivalin e Benficas, Porton, me të cilën e fitoi Ligën e Kampionëve në sezonin 2003-04, si dhe dy tituj të Primeira Liga të Portugalisë para se t’i bashkohej Chelseat.

Megjithatë, karriera e Mourinhos si trajner nisi pikërisht në Benfica, ku e pati zëvendësuar Jupp Heynckesin pas katër javësh në Primeira Liga, para se të jepte dorëheqje vetëm nëntë ndeshje më vonë, për shkak të ndërrimit të presidentit të klubit. Dhe tani, pasi e shkarkoi trajnerin Rui Vitoria javën e kaluar, Vieira është duke ëndërruar ta sjellë Mourinhon në Benfica pas gjithë këtyre viteve.

“Tani për tani, Bruno Lage është trajner i Benficas. Do të kemi të reja javën e ardhshme”, tha Vieira për transmetuesin portugez SIC. I pyetur për Mourinhon, Vieira tha: “Jam mik i tij. Kush nuk do ta donte Mourinhon? Ama, unë s’kam biseduar me të”. “Nëse ai thotë po nesër, atëherë do të jetë këtu menjëherë. Paraja s’është problem për Benfican”, shtoi ai.