Lavdosh Demaj, kryetari i grupseksionit të Partisë Demokratike në Elbasan, është arrestuar në sallën e gjyqit, pasi ndaj tij Gjykata e Apelit në Durrës, ka vendosur ti heqë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe të vendosë masën e “arrestit në burg”. Kjo masë sigurie ishte kërkuar nga prokuroria e Elbasanit, në Gjykatën e Shkallës së Parë, por çuditërisht i akuzuari për tregtim dhe shpërndarje të kokainës e heroinës, është lënë i lirë nga gjyqtari Taulant Tafa. Por prokurori i çështjes ka vendosur ta apelojë lirimin e Lavdosh Demaj, duke kërkuar rikthimin e tij në qeli. Pak ditë më parë gjykata e Apelit Durrës ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke urdhëruar rikthimin në burg të Lavdosh Demaj.

Arrestim në sallën e gjyqit
Demaj, që rezulton dhe kryetari i grupseksionit të Partisë Demokratike në Elbasan, mësohet të jetë arrestuar në sallën e gjyqit dhe shoqëruar në dhomat e paraburgimit. Dy agjentë me numra serialë “315” dhe “317” janë ata që çuan prapa hekurave Klajdi Gjeëin, Klaudio Trungun, si dhe katër persona të tjerë si persona që ishin përfshirë në tregtinë e drogës në Elbasan dhe Tiranë. Hetimi disa mujor i prokurorisë së Elbasanit, ka zbardhur mënyrën se si vepronin shitësit e Kokainës në dy qytete, ku për klientët që blinin lëndën narkotike, premtonin se do u gjenin dhe vajza gratis, për dëfrim.Një ofertë e tillë i është bërë agjentit “315” nga i arrestuari Skënder Pllumbi. Policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë kryer një sërë përgjimet duke dokumentuar veprimtarinë kriminale të 6 personave. Për shkak se në shitjen e kokainës ishin të implikuar më shumë persona, policisë i është dashur të futë në aksion dhe një agjent tjetër të koduar me numrin “317”. Për blerjen e drogës personat flisnin në mënyrë të koduar, duke pohuar se kërkonin “…një serbator e gjysmë naftë…”. Sipas të dhënave nga policia e Elbasanit mes personave që shiste kokainë ishte dhe Klaudio Trungu, i cili është menaxheri i lokalit “My Brother”, që dyshohet se i përket njërit prej anëtarëve të fisit “Çapja” në Elbasan, Bledar Muçës.

Blerja e shtatë dozave kundrejt 275 mijë lekëve
Në datën 31 mars 2019, në orën 11:53, Skënder Pllumbi komunikon me agjentin “315”, i cili i thotë se po vjen. Në këtë moment Skënderi merr në telefon Lavdosh Demaj dhe e pyet se ku është. Pas 5 minutash, Skënder Pllumbi takohet me agjentin, ndërkohë Lavdosh Demaj i bën zile në orën 12:18 dhe 12:19. Nga ana tjetër Skënder Pllumbi, nga raporti i vëzhgimit rezulton se është çuar nga tavolina në orën 12:36, shkon në rrugën “Thoma Kalefi”, takon një person aty për rreth 1 minutë, më pas ecën në këmbë dhe ndalon në rrugën “Todi Dhamo”, te një banesë 4-katëshe (banesa e Lavdosh Demaj), takon një person të moshës 30-35 vjeç dhe kthehet te lokali. Më pas takohet përsëri me agjentin “315” dhe futen në makinën e këtij të fundit. Agjenti i jep shumën prej 275 mijë lekësh të vjetra dhe merr një sasi prej 7 dozash, të supozuara nga gjysmë grami.

Synimi për të blerë 500 gramë kokainë
Por siç ishte biseduar edhe në takimin e një dite më parë, ndërmjet Klajdi Gjeçi, Skënder Pllumbi dhe agjentëve të policisë gjyqësore me numra të koduar 315 dhe 317, në datën 12 prill 2019, rreth orës 11:30, janë takuar pranë terminalit tek Ekonomiku. Pas bisedimeve të bëra në lidhje me cilësinë e lëndës narkotike dhe pagesës, agjenti “317” ka skuar të shikojë “mallin”, i cili presupozohej të ishte në sasinë prej 500 gramësh, lëndë e dyshuar si “kokainë”. Në këtë moment, nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore është bërë edhe arrestimi në flagrancë i Klajdi Gjeçi dhe Skënder Pllumbi. Nga të dhënat e grumbulluara gjatë veprimeve të para hetimore, ka dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, që personat nën hetim Agron Qafa, Lorencio Gjini, Klaudio Trungu dhe Lavdosh Demaj, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Pllumbi, kanë mbajtur me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike të llojit “kokainë”, duke konsumuar elementet e figurës së veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim. Në momentin e ndalimit, oficerët kanë konstatuar se gjatë kontrollit personal, personi nën hetim Agron Qafa, mbante me vete një sasi prej 25 gramësh kokainë.