Oh, sa e urrej juntën! Ajo është gjëja më e shpifur dhe më e papranueshme për një popull modern si ky i yni. Kur shoh që, ata që na qeverisin kanë ardhur në pushtet nëpërmjet votimeve dhe, me kryefortësi, nuk pranojnë të largohen, më acarohen nervat. Ata, duke filluar me Kryeministrin e deri tek Ministrja e Shëndetësisë janë të gjithë oficerë të fshehtë dhe të rrezikshëm. Shkurt muhabeti, ata përbëjnë një juntë.

Jo vetëm përbërja e qeverisësve, por edhe sjelljet e tyre e dëshmojnë qartë rrezikshmërinë që paraqesin për vendin dhe popullin. Në vend që të vinin në pushtet nëpërmjet rrugës demokratike, si ajo e 14 shtatorit 1998, këta njerëz të pacipë e rrëmbyen tepsinë vetëm për vete në zgjedhjet e 25 qershorit 2017 dhe nuk ndiejnë fare keqardhje dhe as dhimbje për lotët që lëshon opozita shqiptare qysh nga ajo ditë e zezë kur gjithë Perëndimi, si me magji, ua legjitimoi pushtetin, megjithëse opozita shqiptare nuk ishte dakord as me vendimin popullor, as me Komisionin Qëndror Zgjedhor që e legjitimoi me të 7 votat vullnetin e popullit dhe as me vlerësimet e Evropës dhe Amerikës.

Duke qenë me prejardhje nga familje diktatorësh, në bashkëpunim dhe konspiracion me Perëndimin, këta antishqiptarë vendosën të bëjnë Refomë në Drejtësi dhe kjo nuk është asgjë tjetër veçse një akt mafioz sorosian që ka për qëllim vendosjen e organeve hetimore dhe gjyqësore nën hyqmin e Kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të juntës. Nuk mjaftuan me këtë nismë, por edhe tentuan të na sjellin Lëndët Helmuese Luftarake për t’i demontuar në Shqipëri, vetëm e vetëm pse kështu ua kërkonte Amerika.

Fytyra e vërtetë e tyre u zbulua pak nga pak më vonë. Në vend që të vepronin me mjete demokratike ndaj kundërshtarëve politikë, ashtu siç veproi qeveria demokratike shqiptare në 28 maj 1996 duke i rrahur vëndshe deputetët e opozitës në Sheshin “Skënderbej” të Tiranës që protestonin pacipësisht ndaj dhunimit tërësor të zgjedhjeve të kryera dy ditë më parë në Shqipëri dhe të shpallura si të padrejta dhe jo të lira nga këta perëndimorët, junta e sotme guxon të mbajë qëndrim pasiv ndaj deputetëve kundërshtarë që godasin me çizme, miell, bojë e çadra Kryetarin e Juntës në Parlament dhe madje e kërcënojnë se do ta tërheqin zvarrë dhe do i rrethojnë shtëpinë. Në vend që t’i vrasin protestuesit antiqeveritarë siç veproi qeveria demokratike në 21 janar 2011 në mes të Tiranës, këta bastardët e juntës ndërmarrin veprime diktatoriale duke vënë përballë protestuesve disa police femra me çimçakiz në gojë si shenjë nënvlerësimi të opozitës dhe, njëherësh, për t’i thënë: “Ja kështu si çamçakizin do të të shtyp! “. Ky fakt ka bërë që të gjithë elementët dhe udhëheqësit demokratë të opozitës të acarohen pa masë dhe, me të drejtë, ta shpallin juntën të paligjshme, vrastare dhe armike të shqiptarëve.

Si të gjitha juntat e tjera, edhe kjo e jona ka vendosur censurë në media. Nga shumica dërmuese e tyre nuk dëgjon gjë tjetër përveç përcaktuesve: “psikopat, bandit, kriminel, i droguar, hajdut, i korruptuar, mafioz, shkollëpakë, vrasës etj.” për kryetarin e juntës i cili quhet Edi Rama. Në vend që të mbajë qëndrim demokratik ndaj medias, ashtu si qeveria e zgjedhur nga populli në vitet 1997 apo 2011 e cila i rrihte, sakatonte apo burgoste gazetarët antidemokratë Frangaj, Lala, Dule, Leka etj. dhe digjte redaksinë e gazetës “Koha Jonë”, junta e sotme shkon aq larg sa ta quaj median “kazan”. Mirëpo ne e dimë se në kazan piqet rakia, por edhe lahen rrobat e pista, ashtu siç mund të hidhen edhe plehërat që mbledh bashkia. Junta është e pamëshirshme në etiketime dhe prej saj mund të presësh gjithçka tjetër prandaj kërkohet rezistencë.

Junta është e korruptuar. Në vend që të shpërdorojë dhe përvetësojë qindra milion euro njëheresh, siç vepronte qeveria demokratike me Rrugën e Kombit, kjo juntë mjaftohet me shpërdorimin e disa dhjetëra milionëve. Në vend që të hedhë në erë një fshat të tërë si Gërdeci në 2008 dhe të vrasë dhjetëra banorë të pafajshëm, junta e sotme hedh në erë disa ndërtime pa leje për të krijuar hapësira të nevojshme për rrugë ndërqytetëse apo për Unazën e Madhe të kryeqytetit dhe guxon e nuk vret asnjë protestues që rri në rrugë prej tre muajsh për të penguar ndërtimin e unazës kryeqytetase.

Junta është e pamëshirshme me popullin e vet. Në vend që të përdor ushtrinë, Lëndët Helmuese Luftarake, raketat, topat dhe avionët kundër protestuesve civilë, siç bëri qeveria demokratike në mars 1997, përfaqsuesit kriminelë të juntës aktuale arrijnë deri atje sa të përdorin gazin lotsjellës ndaj popullit të zemëruar që kërkon të pushtojë me dhunë Qeverinë dhe Parlamentin. Junta jonë, për turpin e saj, po kopjon pikë për pikë metodat antidemokratike të qeverive evropiane dhe asaj amerikane në trajtimin e protestave.

Edhe nga pikëpamja njerëzore junta është e pamëshirshme. Asaj nuk i dhimbsen fare deputetët e opozitës që lanë mandatet dhe rrogat dy mijë euro në muaj dhe braktisën gjithë veprimtarinë e tyre demokratike që shpalosej çdo të enjte në Parlament me batare sharjesh e fyerjesh dhe grumbullime dhe pengime fizike të anëtarëve të juntës për të folur në foltore. Në mënyrë të veçantë, junta tregohet mospërfillëse dhe shpirtkazëm ndaj liderve të opozitës, të cilët po vuajnë “si Krishti në Kryq” për popullin shqiptar. Junta s’begenis t’iu japë qoftë dhe nga sofra a tepsia për të cilën po vuajnë kaq shumë dhe po rropaten pa pushim. Junta nuk e kupton që këta lider nuk kanë hallin e pushtetit të tyre, por kërkojnë t’i kthejnë pushtetin popullit, ashtu siç kanë vepruar gjatë sundimeve të tyre të mëparshëm demokratikë, rrjedhojë e të cilëve janë vargjet e vilave të liderve në bregdet si ai në Gjirin e Lalëzit dhe vargjet e njerëzve që merrnin bukën me lista nga populli i shumëvuajtur shqiptar, për të cilin u digjet shpirti drejtuesve opozitarë.

Duke qenë e tillë, junta meriton përçmim dhe ndëshkim. Siç shkruante një analist demokrat kohët e fundit, meqë askush nga “Rilindja” nuk del t’i thotë Kryeministrit të juntës: “Ndalu more se ke luajtur nga fiqiri!”, duke mos pranuar dorëzimin e pushtetit të marrë me zgjedhje, atëhere mbetet mjeti i fundit, dhuna për ta sjellë në vehte juntën. Përfaqsuesit më të spikatur të opozitës, frymëzues dhe drejtues të të gjitha akteve qeverisëse demokratike të përmendura më lart, kanë vendosur të sakrifikohen për të mirën tonë, për t’i kthyer legjitimitetin Parlamentit, Qeverisë dhe vendit, në mënyrë që të kemi regjime demokratike dhe të denja si ato që udhëhiqnin ata dikur. Vlerësimet dhe konkluzionet e politikës dhe diplomacisë perëndimore janë një “bullshit”, siç ka thënë parvjet “ylli në ngjitje” Lulzim Basha. Kriteret e vlerësimit të së mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të padrejtës, atdhetares dhe antikombëtares, demokratikes dhe diktatoriales duhen nxjerrë nga Manuali Politik Berishist pasi opozita politike shqiptare, siç ka thënë zoti Basha, “i përket shkollës politike të Sali Berishës”. Ndonjë mësim demokratik nga jashtë mund t’iu kërkohet më të rrallë figurave të ndritura si Doris Pak, Xhejms Trafikant apo Damir Fazlliç. Kurrsesi nuk duhet pritur nga politika dhe diplomacia aktuale euroatlantike sepse qartazi janë thjesht produkte të Sorosit.

Aksioni politik opozitar dhe popullor duhet të vazhdojë derisa junta e ardhur në pushtet me votime të pranuara dhe të firmosura edhe nga përfaqsuesit opozitarë të largohet. Të gjithë duhet të ndjekim shembullin e Presidentit të Republikës që është shprehur i gatshëm për vetëflijim, vetëm e vetëm që të mundësohet kjo gjë. Atyre 4-5 mijë militantëve që dalin në protestë sa herë i thërrasin drejtuesit vetësakrifikues opozitarë iu duhet dhënë mundësia të përmbysin vullnetin e gati një milion votuesve që donin juntën. Grupi i oficerëve, me në krye gjeneralin Rama, që morën pushtetin me grusht shteti të realizuar me zgjedhje të njohura ndërkombëtarisht duhet hedhur në koshin e juntave.

Urrejeni juntën! Riktheni të shkuarën e lavdishme! Rroftë Rrumpalla demokratike shqiptare!

Viktor Malaj