Me nisjen e vitit të ri shkollor, shumë mësues që kanë aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë” kanë nisur punën. Njëra prej tyre është edhe Albana Qafa.

Prej 22 vitesh ajo ka përvojë në sistemin arsimor në qytetin e Beratit, por këtë vit, mësuese Albana ka përjetuar emocionet e para me nxënësit e kryeqytetit, që janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës.

Albana ishte mësuese e arsimit fillor pranë në shkollën “22 tetori” në Berat, ndërsa përmes aplikimit në portal ka kërkuar transferimin e saj në Tiranë në shkollën 9-vjeçare “Ali Demi”. Pas dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm si dhe të kryerjes së testimit, ajo është renditur e pesta në bazë të pikëve të vlerësimit që i është bërë.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, mësuesja tregon se ishte ndër ata mësues që ndjehej mosbesuese ndaj funksionimit të portalit deri të enjten e kaluar, kur përmes një mesazhi dhe email-i zyrtar është njoftuar për vendin e lirë të punës në Tiranë.

“U gëzova shumë sepse nuk e prisja, pak edhe nga mosbesimi që kisha nga funksionimi i portalit. Nuk mund ta mohoj që u mërzita shumë edhe për nxënësit që kisha në Berat sepse prej vitesh kam punuar atje. Tani për mua, fillon një jetë e re në Tiranë”, thotë Albana. Ajo ka një mesazh për të gjithë mësuesit e tjerë që janë mosbesues në lidhje me funksionimin e portalit.

“Realisht, shumë mësues janë mosbesues, por përvoja ime më tregoi se portali funksionon. Ndaj u them mësuesve që të aplikojnë në këtë portal sepse në bazë të meritës, do të vlerësohen”.

Mësuese Albana Qafa, prej majit të këtij viti mban titullin “Mjeshtër” sipas kategorive të eksperiencës së punës, që u jepen mësuesve të sistemit arsimor. Ndërkaq, ajo ka mbajtur edhe pozicione si nëndrejtoreshë në disa shkolla të Beratit.

E pyetur nga ATSH-ja nëse ka pasur ndikime politike apo e përfshirë në aktivitete politike (të e cilat ligjërisht nuk lejohen), ajo është shprehur se asnjëherë nuk ka pasur lidhje me partitë politike.