Parlamenti i Polonisë ratifikoi sot Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Pro ratifikimit të Protokollit kanë votuar 388 deputetë, një ishte kundër, ndërsa dy abstenuan. Në elaborimin e Ligjit për ratifikimin e Protokollit, thuhet se pranimi i Maqedonisë së Veriut në NATO do të kontribuojë për stabilizimin e Ballkanit dhe do të ndihmojë për vazhdimin e reformave në këtë pjesë të Evropës.

Hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO, citohet në ligj, është edhe konfirmim se dera e Aleancës mbetet e hapur, për çka Polonia angazhohet fuqishëm. Polonia është vendi i dhjetë që e ka ratifikuar Protokollin.

Fillimisht këtë e bëri Greqia, më pas Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Rumania, Lituania dhe Danimarka. Vendet anëtare të NATO-s më 6 shkurt e kanë nënshkruar Protokollin për aderimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë.

Pas ratifikimit të Protokollit në parlamentet e të gjitha 29 vendeve anëtare të Aleancës, Maqedonia e Veriut zyrtarisht do të bëhet anëtare e plotfuqishme.