Një i ri ka rënë në prangat e Policisë së Gjirokastrës, pasi ka kaluar në mënyrë të paligjshme disa shtetas të huaj nga Pakistani. Në pranga ka rënë shtetasi Enea Mevlani, nga Gjirokastra, i cili nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar.

Megjithatë, ai është kapur nga policia, ku nga kontrolli ka rezultuar se në mjetin e tij ndodheshin pesë pakistanezë, të cilët të ndihmuar nga i riu shqiptar dhe kundrejt shumave të ndryshme kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Njoftimi i policisë:
Vijon puna për parandalimin e trafikut të klandestinëve. Ndalohet një shtetas për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit dhe mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik.

Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër u bë ndalimi i shtetasit:

– Enea Mevlani, 21 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi me datë 12.06.2018, pas informacioneve të mara në rrugë operative ky shtetas po transportonte me automjetin e tij, me targa AA 915 NA pesë shtetas të huaj nga Pakistani.

Ky shtetas fillimisht ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të policisë për të ndaluar, por më pas është kapur nga shërbimet e Policisë pranë DVP Gjirokastër. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale të parashikuar nga nenet 242 dhe 298/2 të Kodit Penal.