Ekipi negociator i Kosovës ka dorëzuar të premten platformën për dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Kjo platformë pritet të procedohet edhe në Kuvendin e Kosovës për miratim. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë pas takimit se platforma thekson qartë se Kosova nga dialogu do të dalë me njohje dhe do të garantojë ulëse në Kombet e Bashkuara dhe integrim në organizatat ndërkombëtare.

“Sot delegacioni shtetëror ka dorëzuar platformën për dialogun për marrëveshjen gjithpërfshirëshe dhe ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kjo është baza, e cila do t’i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, e cila nënkupton sovranitet të plotë, integritet të plotë, dhe të njëjtën kohë garanton që nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive apo pushtet të tretë, apo Republika Sprska në Republikën e Kosovës, në të njejtën kohë garanton edhe përgjegjësitë që ka shteti i pavarur dhe sovran, reciprocitet për vëllëzërit tanë që t’iu ruhen të drejtat shqiptarëve në Republikën e Serbisë”, është shprehur Veseli.

Bashkëkryesuesi i Ekipit negociator Shpend Ahmeti, ka thënë se platforma përbëhet nga 11 parime, të cilat përcaktojnë qartë qëndrimin e Republikës së Kosovës, ku përfshihet integriteti territorial dhe ka për rezultat njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. “Platforma bazohet tërësisht në parimet e Kushtetutës së Kosovës, duke cituar sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës, të cilat janë të pacenueshme dhe është obligim i të gjitha organeve që atë Kushtetutë ta mbrojnë përfshirë në dialogun me Serbinë. Nuk ka rend të tretë të qeverisjes në Kosovë përveç atij qendror dhe lokal. Po ashtu në parim është e potencuar që resurset që janë në Republikën e Kosovës janë e drejtë ekskluzive e Republikës së Kosovës. Nëse mendojmë që përfundimi i dialogut mund të mos sjellë njohje, parimi 2 thotë se nuk ka marrëveshje për asgjë nëse nuk ka marrëveshje për gjithçka”, ka deklaruar Ahmeti.

Ndërkaq, bashkëkryesuesi tjetër i Ekipit Negociator, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje për unitet shtetëror dhe miratim të kësaj platforme nga ana e Kuvendit të Kosovës. “I bëj thirrje opozitës që seriozisht ta trajtojnë platformën tonë dhe të votohet nga Kuvendi i Kosovës dhe të na jepet mandat që të jemi të gatshëm për dialogun e ardhshëm. Të gjithë duhet ta kenë të qartë që Kosova shkon në Bruksel për njohje. Presim që edhe fqinji ynë Serbia, të kthehet dhe ta pranojë realitetin, ashtu siç e pranon Kosova”, është shprehur Limaj.

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë refuzuar të përfshihen në hartimin e platformës për dialogun me Serbinë derisa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë të qartë se vazhdimi i dialogut ndërlidhet me pezullimin e tarifës doganore që u është vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.