Kryetari i Bashkisë Berat, Petrit Sinaj, i ka dërguar një letër KZAZ-së në këtë qytet që të lirohen ambjentet e zëna prej saj në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”,në të kundërt,bashkia do të ndërhyjë për të zbatuar dekretin e presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Në bazë të dekretit të presidentit për zhdekretimin e datës zgjedhjeve në 30 Qershori,dekret që ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare të Presidencës,Bashkia e Beratit ka kërkuar që të lirohen të gjitha ambjentet dhe të hiqen listat e shpallura të zgjedhësve në KZAZ-në Nr.64. Ka qenë kreu i Bashkisë së Beratit,Petrit Sinaj,ai i cili ka drejtuar një letër zyrtare KZAZ-së Nr.64. Përmes kësaj letre drejtuar KZAZ nr.64,bashkia e Beratit kërkon lirimin vullnetarisht të ambienteve të Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”.

Gjithashtu,bashkia Berat,i ka kërkuar KZAZ-së edhe heqjen e afishimit të listave të zgjedhësve pranë këtij Komisioni Zonal për Administrimin e Zgjedhjeve. Në një deklaratë për mediat,kryebashkiaku i Beratit,Petrit Sinaj,ka pohuar se janë ditët e fundit të afishimit të listave të zgjedhësve në të gjitha QV-të në Berat sepse listat do të hiqen,pasi edhe qeveria shqiptare do ta kuptojë që në këtë rrugë pa krye që do ta fusë popullin shqiptar nuk mund të vazhdohet. Kryebashkiaku i Beratit,Petrit Sinaj,ka deklaruar se nuk mund të ketë zgjedhje vetëm me një parti politike sepse populli ka nevojë për qetësi. Sinaj beson se qeveria do të reflektojë sa me shpejt që të jetë e mundur pasi në të kundërt-ka thënë Sinaj-bashkia do të ndërhyjë për të liruar të gjitha ambjentet që janë në pronësi të saj.