Greqia ka njoftuar se do të modernizojë stadiumin e saj olimpik, ndërsa Serbia ka në plan të ndërtojë një stadium të ri me kapacitet 60,000 vende Plani i paraqitur nga vendet e Rajonit të Ballkanit për të organizuar Kampionatin Botëror të FIFA-s 2030 do të kishte një shans real, sepse qeveritë e Bullgarisë, Greqisë, Serbisë dhe Rumanisë do të ofrojnë mbështetje për kandidaturën e përbashkët, tha ministri bullgar i Sporteve, Krasen Kralev.

Deri më sot, asnjë shtet i Ballkanit nuk e ka organizuar më parë Kampionatin Botëror të Futbollit dhe njoftimi i bërë publik gjatë një muaji më parë u prit me skepticizëm nga shumë shtete, si pasojë e infrastrukturës së varfër sportive që ekziston në rajon, por ish-vrapuesi i distancave të gjata, z. Kralev tha se objektivi ishte i arritshëm. Oferta jonë është plotësisht reale, ashtu sikurse ne jemi të vetëdijshëm se duhet të plotësojmë një sërë kriteresh të vendosura nga FIFA, tha 51-vjeçari Kralev për Reuters.

Më lini t’ju kujtoj këtu edhe shembullin e Rusisë, e cila filloi të ndërtojnë infrastrukturën e nevojshme sportive pasi u caktua si shteti organizues i Kupës së Botës 2018. Kuarteti i katër shteteve ballkanike gjithashtu ka në plan të bëjë edhe propozimin e tij për të mirëpritur Kampionatin Europian në vitin 2028, duke shpresuar se do t’u jepet atyre një mundësi për të përmirësuar stadiumet aktuale ose për të ndërtuar stadiume të reja. Z. Kralev tha se Greqia ka njoftuar tashmë se do të modernizojë stadiumin e saj olimpik, ndërsa Serbia planifikon të ndërtonte një stadium të ri me kapacitet prej 60,000 vendesh.

Ai tha se Bullgaria po mendonte të investonte rreth 30-40 milionë leva bullgare (40.61 milionë dollarë amerikanë) për të rinovuar stadiumin Vasil Levski dhe për të ndërtuar një stadium të ri kombëtar në kryeqytetin e Sofjes dhe dy baza të tjera në qytete të tjera. “Oferta e përbashkët është njëkohësisht një faktor shumë i rëndësishëm politik. Kjo tregon se shtetet e rajonit të Ballkanit do të bashkëpunojnë jo vetëm në sektorin e sportit, por edhe për interesat e tyre të përbashkëta politike dhe ekonomike. Kjo është edhe ajo që FIFA po kërkon, stabilitet politik dhe ekonomik. Kjo është gjëja më e rëndësishme pas infrastrukturës”, tha më tej ministri bullgar. Organi qeverisës botëror i FIFA-s do ta vendosë vendin organizues për Kupën e Botës 2030, pas vitit 2022, në të cilin vendi mikpritës do të jetë Katari.

Një ofertë e Amerikës së Jugut që përfshin Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain është bërë tashmë publike. Maroku, i cili deri më tani ka bërë pesë oferta të pasuksesshme për të organizuar kampionatin, duke përfshirë vitin 2026, ka thënë gjithashtu se do të përpiqet përsëri për të organizuar edhe Kampionatin Botëror të Futbollit 2030 dhe mund të bashkohet me Algjerinë dhe Tunizinë. Federata Angleze e Futbollit ka njoftuar planet për të kryer një studim të fizibilitetit në lidhje me Irlandën e Veriut, Skocinë dhe Uellsin. FA irlandeze tha se do t’i bashkohej atyre në eksplorimin e ofertës së mundshme.

Përfitime të mëdha- Kampionati Botëror i Futbollit 2026 do të organizohet bashkërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikën dhe Kanadanë dhe z. Kralev tha se fqinjët ballkanikë tashmë kishin një shembull mjaft të mirë për të ndjekur. “Investimet në ndërtimin e rrugëve, aeroporteve dhe infrastrukturës sportive do të gjenerojnë fitime të mëdha për secilin vend, tha ai më tej.

Sipas llogaritjeve paraprake, fitimet e parashikuara për Kupën e Botës 2026 do të jenë rreth 14 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa shpenzimet parashikohen të shkojnë deri në rreth 3 miliardë dollarë amerikanë. Dhe duke qenë se përzgjedhja nga ana e FIFA-s për shtetin mikpritës të Botërorit 2030 nuk do të përcaktohet më parë se 2020, atëherë ne do të kemi avantazhin në dispozicion për të parë shembullin e Kanadasë, SHBA-së dhe Meksikës.

Mediat lokale dhe ekspertë të ndryshëm, përfshirë ish-futbollistin europian, Hristo Stoichkov, kanë shfaqur skepticizmin e tyre në këtë drejtim, duke thënë se shtetet e Ballkanit nuk kanë muskujt e duhur financiarë për të konkurruar me vendet më të pasura. Të katër shtetet e rajonit të Ballkanit do të diskutojnë ofertën e tyre brenda këtij muaji në Beograd, tha z. Kralev, duke shtuar se Bullgaria mund të ofrojë edhe pretendimet e saj për planin e radhës, nëse kandidatura e tyre për Organizimin e Kupës së Botës 2030 nuk do të pranohet.

“Nëse ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme për të organizuar Kampionatin Botëror të Futbollit 2030, mund të aplikojmë për çdo kampionat të mëvonshëm. Infrastruktura që do të ndërtohet do të përdoret edhe në të ardhmen. Bullgaria, shteti i shtatë milionë banorëve, gjithashtu po përgatit një kandidaturë tjetër, e cila është organizimi i Olimpiadës Rinore Dimërore në vitin 2024 pas marrjes së inkurajimit nga Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, (IOC), Thomas Bach, tha për Reuters, z. Kralev.

“Kandidatura bullgare gëzon mbështetje të madhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Personalisht, Thomas Bach na nxiti që të aplikonim për Olimpiadën e Rinjve kur ai erdhi në Bullgari dhe pa se si ne organizuam njëkohësisht tre kampionate botërore në sportet olimpike, tha z. Kralev. Gjatë vizitës së z. Bach në shtator të këtij viti, Bullgaria mirëpriti kampionatet botërore në vozitje, gjimnastikë ritmike dhe volejboll. /Monitor/