Nga Altin Ketro/

“Shqipëria është një vend i vogël dhe ne jemi një popull i vogël. Por, mos harroni se ka një zemër të madhe, se ka një zemër luftëtare. Ne jemi një popull ku, gjiri i nënës Shqipëri i ka ushqyer ata me forcë, me besim dhe me dashuri për vendin. Ne jemi një popull i cili nuk dorëzohet përpara hordhive të çdo antishqiptari dhe të çdo njeriu që kërkon të transformojë historinë e shqiptarëve. Ne jemi një popull që dimë të luftojmë. Ne jemi një popull që kemi mbijetuar me mijëra vite përballë pushtimeve të huaja. Ne jemi një popull që në thelb është i lirë si shqiponja që fluturon në qiell të pastër dhe të kaltër. Ne jemi një popull që askush nuk mund ta përdhosi. Kush ka tentuar ta shtypi, ta shfrytëzojë, mund të ketë qenë i fortë për momentin se ka qenë në numër, por fundi i tij ka qenë i frikshëm dhe i dhimbshëm”.

E gjithë kjo ligjëratë plot patos patriotik, e thënë nga goja e Monika Kryemadhit në Konventën e LSI-së, mund t’i entuziazmojë ata 2 mijë konventarë që ishin mbledhur andej- këndej për të mbushur Pallatin e Sportit, mund të përmalloj deri në shterim lotësh Norën, mund t’u ngrejë lart atdhedashurinë Klajdës dhe gjithë kupolës së LSI-së që nuk reshtën së duartrokituri në këmbë plot adhurim fjalimin e udhëheqëses së deleguar Monika Kryemadhi. Por s’mund ta fshehë dot faktin që, ndonëse u përpoq fort të mos e përmendë me emër, mesazhi i drejtohej mes rreshtash me nënkuptim kryeministrit Edi Rama.

Ti, Edi Rama, mund të jesh pra për momentin i fortë se ke numrat, por fundi yt, sipas Monikës, do të jetë i frikshëm dhe i dhimbshëm. Të ziun Edi, çfarë horrori e pret në të ardhmen. Dhe, po ta bëri benë Monika, të puth halla m’u në ballë.

Në përplasjen më të fundit midis Presidentit Meta dhe kryeministrit Rama, nisur nga gjuha shumë e fortë politike e përdorur nga Presidenti, gjë që e tejkalon profilin e tij kushtetues si përfaqësues i unitetit të popullit (pra i paanshëm), disa analistë kanë sugjeruar që Presidenti të zhvishet nga funksioni i lartë që mban dhe të përveshë mëngët si opozitar me kohë të plotë, duke rimarrë frerët e LSI-së, krijesës së tij të dashur.

Afërmendsh që Ilir Meta e ka LSI-në habitatin e vet dhe qenia e tij brenda mureve të Presidencës më duket si ai luani që e mbyllin pas hekurave të parqeve zoologjike ku nuk ka mundësi të shpalosë arsenalin e tij të egër. Po e lëshove në savanë, mos i dil përpara se të shqyen.

Dhe savana e vërtetë e Ilir Metës është xhungla e politikës, aty ku nuk ke më skrupuj, por i drejtohesh njerëzve për të rrëmbyer deri edhe armët sapo ndjen se po të preken interesat e tua.

E megjithatë, Ilir Meta, nuk ka për t’u kthyer për momentin në habitatin e vet natyror. Edhe sikur të dojë, nuk e bën dot. Sepse edhe ai, si luan i LSI-së që është, e ka një luaneshë që quhet Monikë.

Asaj iu delegua e drejta të drejtojë LSI-në, por e ka sfidë edhe brendapërbrenda familjes biologjike e asaj politike që të tregojë vetveten në një proces zgjedhor. Pra, nuk do që të jetë zonja në hije që merr fitoret nën mbiemrin Meta. Duhet edhe një Kryemadhe të lërë gjurmën e saj në fushën e minuar të politikës.

Zgjedhjet e afërta vendore të qershorit janë një test shumë i madh dhe një peshë shumë e rëndë për Monika Kryemadhin. Si një dibrane që e refuzoi vetë Dibra për ta bërë deputete, ajo s’mund ta pranojë që fitoret e LSI-së të vijnë vetëm nga Ilir Meta.

Ajo e di fuqinë e Ilir Metës edhe brenda radhëve të veta, e di edhe adhurimin që kanë militantët për atë. E megjithatë, qoftë edhe me atë harbutërinë që e karakterizon, ajo po përpiqet që të lërë gjurmën e saj si udhëheqëse në LSI.

Dhe gjurma lihet kur ajo bëhet e thellë, jo e cekët. Thellësi do të thotë të thellosh rezultatin e mëparshëm, jo vetëm në bashkitë që drejton aktualisht, po edhe më tej. Duke qenë një negociatore e keqe, dështimin e parë ka për ta pasur me Lulzim Bashën. Lufta e saj për t’u shtrirë në territor dhe ambicia e LSI-së për të fituar gjithandej, nuk do ia ulë krenarinë Monikës të mos kërkoj më shumë nga harta që do shpalosë Lulzim Basha. Ky i fundit është nën presionin e të tijve pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe një humbje në vijim do jetë tronditëse për pozitat e tij.

Por Lulzim Basha është vetë midis dy zjarresh. Së pari, ai është në zjarrin që i duhen sa më shumë bashkëpunëtorë politikë me qëllim që fronti i tij opozitar të jetë i madh për të dalë fitues në zgjedhje. Së dyti, ai është në vështirësi brenda radhëve të veta ku i kërkohet të mos lëshojë terren politik për aleatët në dëm të përfaqësimit me kandidatë nga radhët e PD-së në 61 bashkitë në garë.

Monika, nga ana tjetër, siç theksova më lart, kërkon më shumë hapësirë për të treguar lidership politik dhe ky do të jetë një hendek shumë i madh që ajo duhet të kalojë.

A do riskojë Monika, për hir të Shqipërisë që i dhemb shpirti, që të lëshojë terren duke kërkuar përfaqësim vendor qoftë edhe më pak seç ka tani për hir të kauzës së fitores së opozitës, apo mbi të do mbizotërojë ambicia që pas Shqipërisë si e para, e dyta vjen LSI-ja?

Pikëpyetja më e madhe që shtrohet për Monika Kryemadhin është: do të mundë Edi Ramën apo Ilir Metën?

30 qershori po afron dhe zonja Kryemadhi ka shansin të na tregojë nëse sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, do tregohet një “Kokë e madhe” apo “Peshk i vogël grabitqar, me kokë të madhe e me trup rreth një pëllëmbë të gjatë”.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here