Mino Raiolas, menaxherit të Paul Pogbas, i është bërë me dije nga drejtuesit e Manchester Unitedit se mesfushori francez nuk do të lejohet ta braktisë klubin aq lehtë. Në fakt, gjiganti anglez dëshiron t’i zgjasë kontratën aktuale Pogbas, e cila skadon më 30 qershor të vitit 2021, dhe ka argumentuar se largimi i Jose Mourinhos duhet të nënkuptojë se ai nuk ka më probleme në klub.

Por, Pogbas i pëlqen ideja për të luajtur nën urdhrat e Zinedine Zidane në Real Madrid. Në mënyrë që një operacion i tillë të ketë sukses, Los Blancos duhet të derdhin shumë para në arkat e Unitedit, ndërsa pikënisja do të ishte 150 milionë euro. Kjo shumë është goxha më e lartë se ajo prej 114 milionë euro që Unitedi ia pagoi Juventusit për të në vitin 2016.