Nga Farage tek Macron duke vijuar me Salvinin, pesë personalitete shënuan fushatën e zgjedhjeve europiane dhe disa prej tyre mund të luajnë një rol kyç pas zgjedhjeve:

Macron, mbrojtësi i Europës- Ai ka bërë fushatë për temat pro-europiane dhe prej zgjedhjes së tij në 2017, presidenti francez, Emmanuel Macron në mënyrë të vazhdueshme mbron idenë për një rimëkëmbje të Europës, duke u bërë kundërshtari numër 1 i liderëve populistë europianë. Në Francë, lista e partisë së tij Republika në Lëvizje është shumë afër me rezultate me Grumbullimin Kombëtar të Le Pen, duke u renditur në krye me një epërsi nga 0,5 deri në 3 pikë nga sondazhet e fundit (23,5% kundrejt 23% për LREM sipas një sondazhi të publikuar dje në mbrëmje.

Macron shpreson me partinë e tij të ndryshojë krejtësisht panoramën në qendër të Parlamentit Europian, me thirrjen për të ngritur një koalicion të madh progresist përballë atyre që duan të shkatërrojnë Europën me nacionalizëm. Partia e tij mund të krijojë aleancë me liberalët e ALDE për të luajtur një rol kryesor në Parlament dhe në ndarjen e posteve në institucionet europiane.

Macron dëshiron një buxhet të përbashkët për vendet e zonës euro dhe një ministër europian të Financave, kërkon një Europë të vërtetë në aspektin e mbrojtjes që do të mundësonte të qenit më pak i varur nga SHBA-ja dhe mbështet tezën e një identiteti europian të fortë dhe koherent.

Por, propozimet e presidentit centrist, 41 vjeç, për rimëkëmbjen e Europës nuk kanë patur efektin e pritshëm nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Dy liderët pranuan së fundmi se kanë qasje të ndryshme, duke pranuar konfrontimet mes tyre.

Sanchez, shpresa e socialistëve Fitues i pastër i legjislativeve në fund të prillit, kryeministri socialist spanjoll Pedro Sanchez, i vetmi lider social-demokrat në pushtet në një vend të madh evropian, duhet të dalë me një pozitë më të fortë nga zgjedhjet europiane të së dielës.

Sondazhet e paraqesin PSOE-në fituese të rreth 30% të votave. I fortë për sa i përket rezultateve të mira në zgjedhje, i diplomuar për ekonomi 47 vjeçari erdhi në pushtet në qershor 2018 pas largimit nga pushteti të konservatorit Mariano Rajoy së sajë të një mocioni mosbesimi, kërkon të mirë pozicionojë liderët spanjollë në skenën europiane ku dhe është shfaqur shumë më aktiv sesa paraardhësi i tij. Ai kërkon të përfitojë në veçanti nga Brexit, që do ti mundësonte Spanjës të bëhej shteti i katërt i Unionit.

Brexiter-i Farage- Me nofkën ‘’zoti Brexit’’ të vendosur nga miku i tij Donald Trump, Nigel Farage, 55 vjeç, mund të mburret si politikani britanik më influent i gjeneratës së tij edhe pse nuk ka qenë kurrë deputet në Dhomën e Komuneve. Partia e tij Brexit, e themeluar në shkurt për shkak të bllokimit të negociatave për largimin nga BE-ja të Britanisë së Madhe, renditet në krye të sondazheve me rreth 30% të votave.

Fitorja e tij do të ishte një shuplakë për dy partitë kryesore britanike Konservatorët dhe Laburistët. Eurodeputet që nga 1999, Farage ka udhëhequr vazhdimisht një kryqëzatë anti-BE nga Parlamenti Europian për partinë e tij UKIP, i cili la postin e liderit të saj në 2016.

Salvini i ekstremit të djathtë pa komplekse Politikani me peshë i qeverisë italiane dhe lideri i ekstremit të djathtë të gadishullit, Matteo Salvini ka ambicie të bashkojë një grup sovranit në Parlamentin Europian, me kolegen e tij franceze Marine Le Pen. Ky milanez elokuent, 46 vjeç, u bë pjesë për herë të parë e Parlamentit Europian në 2004 dhe u largua në 2018 pasi u ngjit në pushtet në Itali. Nën drejtimin e tij, qeveria populiste italiane doli hapur kundër pjesës më të madhe të partnerëve të tij evropianë duke mbyllur portet për refugjatët dhe u përfshi në një sprovë force pa kompromise me Komisionin për buxhetin e 2018 për anashkalim të rregullave europiane.

I spikatur për një vetëbesim të tepruar dhe një ekipi me të rinj të talentuar në rrjetet sociale, partia e tij parashikohet të fitojë mbi 30% të votave.

Populisti Orban Me fitoren e 57% të votave për partinë e tij Fidesz, kryeministri hungarez në pushtet që nga 2010 po përpiqet të forcojë influencën e tij në vend dhe statusin e figurës kyçe të së djathtës së ashpër europiane.

I pezulluar nga Partia Popullore Europiane (PPE, e djathta) për shkak të sulmeve ndaj Brukselit, lideri sovranit mbrohet me argumentin e largimit nga BE, ndërkohë që Hungaria është përfituese e fondeve të mëdha strukturore europiane. Ai synon të luajë një rol të rëndësishëm në rikompozimin e së djathtës europiane dhe ka shtuar kontaktet me Matteo Salvini, FPÖ-në austriake dhe PiS polake. Me një mesazh të qartë, nëse e djathta e moderuar refuzon të bashkohet me partitë patriotike të së djathtës pas zgjedhjeve, ai do të mbyllë me forcë portën e PPE-së. /ATSH-AFP/