Nga Mero Baze

Deri dy muaj më parë, kërcënimi që Ilir Meta i bënte mazhorancës, ishte se do jepte dorëheqjen dhe do udhëhiqte opozitën. Nuk është se trembej njeri nga mesazhet që dërgonte, por ai mendonte se ishte një mesazh force.

Pas zhvillimeve të fundit dramatike të krizës shqiptare dhe rolit të tij thelbësor si zjarrvënës në këtë krizë, ai e forcoi dhe më shumë rolin e tij si krye-opozitar, dhe po të mos ishin SHBA, më 30 qershor, ndoshta do derdhej gjak shqiptari për shkak të tij.

Sot ai është ndëshkuar me 101 vota paradhënie, për t’u larguar nga posti i presidentit. Por më shumë se sa nga 101 votat në Kuvend, ai është i shkarkuar nga 30 qershori. Fakti që shqiptarët shkuan në zgjedhje duke shpërfillur kërcënimet dhe dekretet e tij, dhe fakti që SHBA dhe Bashkimi Europian, mes tij dhe shqiptarëve, zgjodhën shqiptarët që votuan, i ka dhë fund rolit të tij si president edhe formal në Shqipëri.

Votimi i sotëm i hap rrugën dhe juridikisht largimit të tij.

Por përse Ilir Meta nuk jep dorëheqje, kur e di fundin e tij?

Kjo ishte pyetja dhe një ditë pas 30 qershorit, kur ai u zhvlerësua si president “de facto” nga shqiptarët dhe Perëndimi.

Kjo pyetje vlen dhe pas votimit të sotëm.

Kjo pyetje do vlejë dhe pas tre muajsh, kur ne të kemi Gjykatë Kushtetuese dhe të zyrtarizohet ikja e tij.

Kjo pyetje do të vlejë dhe kur ai të nxirret nga zyra.

Ngurrimi i tij për të mos dhënë dorëheqje, para një mazhorance të sigurtë, e kthen atë nga një “luan” që kërcënonte me dorëheqje kur nuk ia kërkonte njeri, në një zvarranik që kapet pas pragut të Presidencës, tani që është poshtëruar publikisht si president.

Një arsye duket se ka të bëjë me faktin se, Ilir Meta nuk jep dorëheqje, pasi nuk ka ku të shkojë politikisht. LSI, që formoi me aq mund dhe energji politike në vitin 2004, tashmë është degraduar në atë mënyrë, që nuk i vlen më askujt. As atij. Është thjeshtë një ndërtesë ku pi kafe Tit Vasili.

Partia Demokratike është në ditë të zeza. Lulzim Basha po tenton të mbrohet nga zërat kritikë, duke nxjerrë njerëzit në vapë të protestojnë, tashmë për mos ikjen e tij nga PD.

Është e qartë se Berisha do ta mbrojë deri në fund, duke e rritur ndjeshëm dëshpërimin brenda PD për të ardhmen e saj.

Në këtë aspect, Ilir Meta politikisht nuk ka më derë të trokasë dhe e vetmja mundësi është të bëjë një parti të re të vetën.

Nga ana proceduriale, Ilir Meta po kërkon të zgjasë kohën në Presidencë, për të përdorur imunitetin e presidentit, deri në fromimin e SPAK dhe institucioneve të tjera të Reformës në Drejtësi, me shpresë se do ndikojë sadopak për të pasur ndikim mbi to.

Ai ndjehet i frustruar nga ideja që nuk i ka nën kontroll këto institucione dhe kjo, ja ka rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë dhe në daljet publike.

Ndaj për ditë më të qeta, ai do që doemos të jetë në Presidencë, edhe pse sillet si një president që i kanë vjedhur pasuordin e Facebook-ut, lacat e lagjes.

Por mbi të gjitha, Ilir Meta nuk jep dorëheqje, sepse i duket si dorëzim para Edi Ramës. Në subkoshiencën e tij është e ngulitur skena e Allendes, kur ushtarët shkojnë ta nxjerrin nga zyra me forcë, pasi e kishte shkarkuar Parlamenti.

Jo se ky do marrë armën e t’ia heqë vetes, por ideja se populli do rrëmbejë armët për ta mbrojtur atë, është e lexueshme.

Ndaj sa më e vendosur shumica shkon drejt shkarkimit të tij final, ai bëhet dhe më agresiv. Ai sillet si një njeri që ka një hall të madh, nga e cila e mbron Presidenca.

Politikisht ai do kishte dalë shumë herë më i fortë të kishte ikur më 1 korrik, pasi zgjedhjet u mbajtën tërësisht paqësore, dhe pse nuk u përfillën dy dekretet e tij.

Por ai nuk ka ndërmend të dalë me dinjitet nga zyra. Kërkon të dalë si viktimë. Vetëm kështu beson, se do të jetë dhe hero, edhe do ta shikojë lapidarin e ngritur për të.