Vijojnë tensionet në Shkodër. Ashtu si ditën e djeshme edhe sot militantët e Partisë Demokratike nuk kanë lejuar hapjen e derës së KZAZ nr. 2 në kryeqendrën e veriut. Në momentin që anëtarët e KZAZ-së kanë shkuar për të hapur derën, militantët e opozitës të mbështetur nga policia bashkiake e Shkodrës i kanë bllokuar.

Ne këtë moment ka ndërhyrë policia e rendit, teksa nuk kanë munguar debatet, tensionet dhe shtyrjet mes efektivëve. Të gjitha bashkitë që drejtohen nga përfaqësues të opozitës kanë kërkuar që të lirohen KZAZ-të pas dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Në letrën e saj kryebashkiakja Voltana Ademi e Partisë Demokratike i ka kërkuar policisë të mbështesë Bashkinë për zbatimin e vendimit të presidentit të vendit Ilir Meta, për të anuluar 30 qershorin e për pasojë i ka kërkuar të ndihmojnë në lirimin e ambienteve. Por, shumica shprehet e vendosur për të zhvilluar zgjedhjet në datën 30 Qershor.