700 mësues këtë vit, do të kujdesen për fëmijët me aftësi të veçanta. “Ishin zero mësues, i bëmë 300 dhe tani janë 700 mësues për fëmijët me nevoja të veçanta, pasi të gjithë mësuesit e dinë se ç’do të thotë të kenë një fëmijë të tillë në një klasë më 30 nxënës. Është një torturë për fëmijën, mësuesin dhe prindërin”, theksoi kryeministri Edi Rama në takimin me mësuesit e portalit “Për Shqipërinë që duam”.

Ky hap u vlerësua nga kryeministri shumë i rëndësishëm që do të sjellë cilësi dhe përmirësim të shkollës si komunitet.

“Duhet të punojmë për një përmasë sociale të shkollës, të mësojmë nga vende shumë të pasura që përmes shkollave, ushtrisë dhe grupeve të tjera nuk i lënë pas ata që janë të varfrit fare në komunitetin që jetojnë. Nëse shkolla jonë do ketë këtë përmasë sociale, nuk do ketë më fëmijë që bëjnë xhiron e internetit se nuk shkojnë dot në shkollë apo familje me shtëpi super të rrënuara”, tha kryeministri.

Kryeministri Rama vuri në dukje se është plotësisht e mundur që me komunitetin e shkollave, me prindërit e mësuesit të japim solidaritet dhe të mësojmë fëmijët që solidariteti për më të varfrit është njësoj si libri dhe kush e mban librin afër dhe njeriun në nevojë afër nuk ka më nevojë për asgjë tjetër. Jeta është e gjitha nën kontrollin e tij”, theksoi Rama.