Partizani u shpall kampion, ndërsa arkitekti i kësaj skuadre dhe njeriu më i rëndësishëm, trajneri Skënder Gega ishte i pari që iu bashkua emisionit “Zona Gol”, duke ndarë me panelistët, por edhe ndjekësit nëpërmjet ekranit, emocionet e titullit kampion.

Një ëndërr e bërë realitet dhe një titull që rikthehet pas 26 vitesh?
Ëndrra më solli këtu dhe më bëri të marr përsipër këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë. Jam shumë krenar dhe i lumtur për këtë trofe, të cilin ia dedikoj çdo njeriu që më ka mbështetur, Gaz Demit, Olsi Ramës, çunave të skuadrës. Mund të falënderoj mijëra emra, por jam i lumtur që ia dolëm.

Kush besoni se ishte çelësi i suksesit të këtij Partizani?
Sot ëshët festë dhe nuk dua të merrem me problemet, por vetëm t’u jap meritat të gjithëve, futbollistë, drejtues, aktorë të kampionatit dhe juve si gazetarë. Kur erdha ka pasur edhe paragjykime ndaj meje, por sot jemi kampionë dhe gjithsecilin që ka besuar te unë e Partizani, e falënderoj.

Tani mund ta thoni me zë të lartë, që jeni kampionë…
Është një shpërblim për punën time, për familjen time që ka qëndruar larg meje dhe të gjithë ata që besuan (përlotet dhe kërkon pak kohë të mbledhë veten). Presidenti Demi dhe i gjithë klubi, më kanë dhënë kurajën në momentet më të vështira, pro kur të jem disi më i qetë, do të mundohem të ndaj gjërat e mira me ju.

Keni pasur një mbështetje të pakufizuar edhe nga klubi…
Natyrisht, ndaj edhe e nisa me falënderime. Unë e pata të vështirë sa të hipja në autobusin e Partizanit, por më pas u përpoqa të mos abuzoj me pozitën time aty. Kemi punuar shumë nga dita e parë, bashkë me të gjithë bashkëpunëtorët e mi, për të cilët jam krenar sot që kemi mbyllur këtë rrugëtim. Dua të falënderoj presidentin Demi, me të cilin kam folur vetëm 3 herë teknikisht, në 9 muaj, pasi më ka lënë të bëj punën ashtu si duhet, për të shkuar te ky sukses.