Diçka e pazakontë ka ndodhur sot në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Një gjyqtar i futbollit, i pakënaqur me faktin që nuk po delegohet prej një kohë të gjatë për të arbitruar në kampionat, ka shkuar në FFK për të folur me presidentin Agim Ademi, ku ka ndodhur edhe një konfrontim fizik. Fjala është për arbitrin Bajram Gashi.

Por, zyrtarët e tjerë të FFK-së, në korridoret e shtëpisë së futbollit, kanë ndërhyrë për ta parandaluar tensionimin e mëtejmë të situates.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe vet gjyqtari Bajram Gashi, i cili nuk pranoi të falsë, me arsyetimin se ia ndalojnë rregulloret e FFK-së prononcimin për media. Por, la të nënkuptohet se do të angazhojë avokat për të ngritur padi private ndaj kryetarit Agim Ademi e po ashtu ankesë edhe në UEFA e FIFA për mosdelegim.

Por, kjo është mohuar nga kryetari Agim Ademi. “Nuk është e vërtetë, nuk ka pasur kurrfarë zënke. Mund të ketë palë të pakënaqura, por janë Komisionet përgjegjëse që merren me këtë punë. Unë nuk kam pasur kurrfarë konflikti me askënd sot”, tha Ademi për Gazetën Express.

Bajram Gashi është një gjyqtar mjaft i njohur në Kosovë, por hovin e tij e kishte ndalur një dënim që ia kishte shqiptuar qysh në prill të vitit 2017 FFK-ja me një vit mosdelegim, dënim ai që pastaj iu kishte reduktuar dukshëm. Kjo kishte ndodhur pas daljes në publik të një video-incizimi që kishte të bënte me dyshime të forta për kurdisje, e ku Gashi ishte një protagonist.

Ademi prejse ka ardhur në postin e kryetarit po kërkon reformim në referim. Madje, ua ka rritur pagesat në 100 për qind, por ka paralajmëruar edhe zero tolerancë ndaj lëshimeve të tyre.