Zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali e konsideroi “një çorbë e ngatërruar nga disa shërbëtorë të Berishës në prokurorinë e shtetit” publikimin e përgjimeve të dosjes 184 nga gazeta gjermane, Bild. Sipas Spiropalit, këta prokurorë i kanë mbajtur dosjet për shantazh.

“Nuk i kanë hetuar këto tre vite, nuk i ka penguar askush. I kanë përdorur si shantazh për të rifituar pozicionet e tyre ose për t’ja dërguar PD-së për t’i nxjerrë një ditë përpara vendimit për negociatat”, u shpreh Spiropali.

Spiropali theksoi në emisionin ‘Open’ në Top Channel se dosjet nuk mund të përdoren për të shantazhuar kryeministrin Edi Rama.

“Ne nuk jemi prokurorë, nuk jemi gjykatës, jo më kot përgjimet janë indicie dhe jo provë. U takon prokurorëve t’i çojnë në gjykatë. Dosjet nuk mund të përdoren si shantazh për figura të larta politike, përfshirë kryeministrin. Këto dosje nuk mund të deformohen dhe nuk mund të manipulohen në mënyrë që të helmohen qytetarët”, tha ministrja për Parlamentin.

Ministrja pretendoi se audio-përgjimet e Bild “kanë probleme të mëdha në përkthim, kanë probleme të rënda në manipulim.”

E pyetur nga gazetari Enton Abilekaj nëse mazhoranca ndjenë përgjegjësi politike për këto përgjime, Spiropali tha: “Ju thoni të ndjejmë ne përgjegjësi politike apo morale sepse dy prokurorë të pamoralshëm kanë vendosur të jenë shërbëtorë të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës?”(th)