Gazetari Skënder Minxhozi ju përgjigj disa pyetjeve të Aleksandër Furxhi, gjatë edicionit të lajmeve të orës 19.00 në Vizion Plus. Ja teskti i intervistës

Si e komentoni grabitjen e bujshme këtë të martë në Rinas?

Është një lajm shokues, i jashtëzakonshëm. Jo vetëm për faktin se është rasti i dytë që ndodh një grabitje kaq e madhe në Rinas, por edhe sepse çdo qytetar i këtij vendi që udhëton, mendon përtej parave që u grabitën, sesi është e mundur që grabitësit e armatosur të futen deri tek sheshqëndrimi i avioneve dhe teorikisht do të vinin në rrezik edhe integritetin e udhëtarëve.

Ne e dimë që avionët kudo në botë janë mjete të transporti të një rëndesie shumë të veçante, ka një sensibilitet shumë të madh në të gjithë botën kur një mjet i tille kërcënohet ose pëson difekt. Në këtë rast ndodhemi përballë një ngjarjeje flagrante pasi ndodh në një vend ku duhet të kishte siguri maksimale, për shkak se në Rinas  lëvizin qindra apo mijëra njerëz në ditë.

Çfarë tregon qëndrimi amerikan pas vizitës së Palmer në Tiranë?

Qëndrimi amerikan konfirmon qëndrimet e mëparshme, përmes ambasadës së tyre në Tiranë. Nuk ka asgjë të re në thelb në këto qëndrime. Eshtë e njejta gjuhë e qartë, e drejtpërdrejtë dhe pa ekuivoke, në lidhje me djegien e mandateve, braktisjen e parlamentit, pastërtine ose legjitimitetin e zgjedhjeve dhe qeverisjes që ka dalë prej tyre. Mesazhi i Palmer është i qartë për të gjithë veshët e opozitës që ka dëshirë të dëgjojë dhe reflektojë. Është konfirmimi i radhës së opozita shqiptare e ka kalkuluar keq aksionin e saj politik, të paktën në planin e saj të jashtëm. Ju kujtoj pak ditë më parë, teksa kthehej nga Berlini, Basha njoftonte se Rama ishte i vetëm dhe ndërkombëtaret ia kanë hequr vizën. Unë, me qëndrimin e sotëm të z.Palmer, mendoj se të paktën amerikanet ia kanë hequr vizën Bashës.

A janë këto mesazhe të drejtëpërdrejta të SHBA, një mundësi për të hapur një rrugë dialogu drejt zgjidhjes së këtij konflikti politik?

Virtualisht unë e kam konsideruar momentin politik që po kalojmë, si muajin e dytë të Çadrës, e kam fjalën për Çadrën e famshme të vitit 2017, e cila qëndroi 100 ditë në shesh dhe deri në fund të muajit të dytë aty kishte një atmosferë bllokimi total. Por në muajin e trete ndodhi gjithçka. Kam përshtypjen se duke iu afruar zgjedhjeve te qershorit, duke iu afruar 100 ditëshit të djegies së mandateve, presioni i ndërkombëtareve do të vijë duke u rritur. Edhe vizita e Palmer e tregon këtë gjë. Pra, për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj, ky është një hap drejt një dialogu mes paleve. Një dialog që do të arrihet vetëm me presionin e të huajve.

Në terren veprimet e PD-LSi, duket sikur po përgatiten për zgjedhje, ndryshe nga deklaratat në media. Si e lexoni këtë aksion?

E vetmja piste negociimi e opozitës, pasi ka djegur mandatet dhe e ka nxjerre veten jashtë sistemit, është që të rifusë veten në lojë nëpërmjet “deriçkës” së zgjedhjeve vendore, ndërkohë që me pushtetin qëndror ka prerë të gjitha urat e komunikimit. Unë mendoj se opozita e ka një variant nën mëngë që lidhet me 30 qershorin, ajo nuk e ka djegur si opsion hyrjen në zgjedhjet lokale. Mesazhet që merr nga jashtë janë shumë të qarta, por ajo mban shpresë se mund të largojë deri në pranverë Edi Ramën nga qeverisja qëndrore, para se të shkojë në zgjedhje, çka unë e shoh shumë të vështirë. Siç e vinte në dukje me të drejtë dje Astrit Patozi, sheshet nuk i përgjigjen opozitës dhe kjo i prish planet e Bashës, Berishës dhe Kryemadhit.

Çfarë shenon episodi mes kreut të zyrës së Zerit të Amerikës Biberaj dhe Ramës të cilët u përplasen ne distancë së fundmi?

Modestisht, si gazetar më i ri në moshë se Elez Biberaj, unë do t’ju kujtoja se sot Matthew Palmer i ka dhënë virtualisht përgjigje jo vetëm opozitës, por edhe vetë akuzave të zotit Biberaj. Natyrisht kjo nuk duhet ta bëjë të ndihet mirë Ramën në raport me gazetarin shqiptaro-amerikan apo median ku ai drejton, pasi për mendimin tim, kryeministri ka bërë gabim qysh në krye të herës, duke hyrë në një debat shterpë dhe pa asnjë lloj kuptimi me Zërin e Amerikës.