Në intervistën e tij të parë si Ministër në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka folur mbi ecurinë e procesit screening, procesi i fazës përgatitore për çeljen e negociatave me BE, gjatë të cilit synohet përshtatja e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Nga studio e ERTV-së, Cakaj tha se procesi screening është duke u zhvilluar sipas kalendareve të dakorduara me komisionin europian. Ai njoftoi se kanë mbaruar më tepër se 20 takime për 20 kapitujt e legjislacionit europian.  “Kjo nuk është thjesht një ndërmarrje që i mundëson palës shqiptare përvetësimin e njohurive për legjislacionin europian, por rrit edhe nivelin e përgatitjeve për procesin e negocimit”, deklaroi Cakaj.

Cakaj njoftoi gjithashtu se që nga qershori i vitit të kaluar, Shqipëria ka punuar në përmbushjen e kushteve të Këshillit të Europës. Po ashtu-tha Cakaj-kemi zgjeruar nga dhjetori i vitit 2018 kapacitetet administrative për të përballuar vëllimin e aktiviteteve që do të pasojnë nga çelja e negociatave. Cakaj deklaroi se strukturat shqiptare kanë thelluar dialogun politik me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që vlerësimi teknik i komisionit europian, të shndërrohet në vullnet politik të këshillit.