Nga Alfred Peza/

Opozita me sa duket nuk mund tua falë studentëve të vërtetë, faktin se ata jo vetëm nuk i pranuan në fillim të dhjetorit që ti bashkoheshin atyre në shesh, por edhe i refuzuan kategorikisht. Një refuzim që kërkoi të mbante larg jo vetëm ndikimin, por edhe hijen e ngjyresat e flamujve të ndryshëm të klasës politike shqiptare. Sepse, ajo e fillimit, ishte një protestë e vërtetë.

Për të dalë në sheshin nga ku u kthyen sytë gjithë Shqipërisë e nga ku u rikthye shpresa e gjithë shoqërisë, nuk pati nevojë, nuk qe fare e nevojshme që të dëgjoheshin as thirrjet e liderëve politikë dhe as çjerrjet e përbetimet e tyre.

Për të dallë në Rrugën e “Durrësit” përballë ministrisë së Arsimit, derisa u artikualuan ato 8 kërkesa të njohura të studentëve të vërtetë, nuk pati nevojë të kryeqëzoheshin dyert e fakulteteve, si në kohërat më të errëta të inkuzicionit.

Për të shkuar deri tek plotësimi i të gjitha kërkesave dhe tejkalimi i ankesave të tyre nga ana e qeverisë dhe e Kryeministrit, nuk pati nevojë që ti viheshin zinxhirët portave të universiteteve si në kohërat kur mbylleshin institucionet e Zotit, gjatë diktaturës komuniste.

Për të artikuluar dhe për tu dëgjuar në çdo decibel e në çdo gërmë, në çdo rrokje e në frymën e kërkesave të tyre, studentët nuk qe e nevojshme të tërhiqeshin zvarrë deri në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë dhe poshtë zyrës së Kryeministrit Edi Rama.

Sepse zëri i studentëve të 1967 në Europën Perendimore dhe i studentëve tanë të 1990 për Shqipërinë si gjithë Europa, u dëgjua nga atje ku ajo buroi natyrshëm, për të kumbuar pa asnjë pengesë edhe në çdo vesh që nuk donte të dëgjonte, paravrësisht vendit dhe sheshit ku ata kanë protestuar.

Ndaj, studentët e dhjetorit 2018 nuk kanë nevojë për suflerë. As për sekserë. E aq më pak për tutorë politikë, që ti tregojnë se çfarë nevojash kanë, sesi duhet ti adresojnë ato dhe ku e si duhet ti artikulojnë kërkesat e tyre të drejta.

Studentët nuk janë pronë as e forumeve partiake, aq e partive politike, aq më pak e liderëve politikë që kërkojnë të investojnë tek të rinjtë, jo ëndrrat e tyre të vërteta, por nevojat e tyre për mbijetesën në skenën e së ardhmes.

Me siguri ka qenë jo vetëm reagimi i qeverisë për plotësimin emergjent i kërkesave të tyre të drejta dhe adresimin e zgjidhjeve për të ardhmen, por edhe kjo sjellje poshtëruese e opozitës ndaj studentëve të vërtetë, shkaku kryesor që çoi në dështimin e protestës së imponuar të 7 janarit.

Sepse protesta është një vokacion natyror i studentëve në gjithë historinë e protestave rinore të kohëve moderne dhe në botën e qytetëruar. Ajo as nuk mund të imponohet, as nuk mund të përdoret për nevojat politike të ditës, as nuk mund të tjetërsohet dhe aq më pak të përdhoset nga ata që kanë kontribuar edhe vetë, në gjenerimin e problemeve që studentët kërkojnë tu zgjidhen sot.

Ndaj ajo që ndodhi të hënën në bulevard, nuk ishte protesta e studentëve të vërtetë.

Ajo që ndodhi më 7 janar nuk ishte protesta e studentëve të dhjetorit 2018.

Ajo që ndodhi përpara godinës së Kryeministrisë, ishte hakmarrja e opozitës ndaj qeverisë, për plotësimin e kërkesave të studentëve.

Ajo që ndodhi me protestën e parë të 2019, ishte hakmarrja e opozitës për studentët e vërtetë, që e refuzuan opozitën në fund të 2018. Ishte mësimi që i dhanë jo vetëm të rinjve, por kujtdo grupi interesi që do të guxojë nesër që të protestojë në këtë vend. I lirë. Pa lejen e liderëve. Pa lejen e partive opozitare. Pa lejen e klasës politike shqiptare.