Nga Anri Bala/

Lodheni kot t’ia shpjegoni me prova e fakte, se z. President nuk e ndjen aspak veten si një titullar shteti honorifik! A e dini pse? Sepse dhe ai vetë nuk e beson se ka mbetur qoftë një grimcë “honori” në ndonjë atom brenda qenies së tij!

E ngaqë nuk i beson vetes për të ndërtuar një argument, lëshon zagarët nga kolibet, sa herë që ka ndonjë debat publik! Por zagarët e tij, janë edhe me keq se ai, prej gjallesave më të neveritshme që mban kallëpi i hamsave me pagesë, sidomos atyne që u ka hik vakti e u kanë rënë dhëmbët, e që madhështinë e tyre e lidhin gjithmonë me kohën… se kanë pas kafshuar edhe ata njëherë!

Zagarët e tij janë edhe të llojit të fqinjësisë së mirë, vetëm kur ua paguajnë zyrat e veshmbathjet brenda rezidencës luksoze tek “Kodra e Diellit”, e si qen roje lehin fort prej majmërisë, e hungërima e tyre prej mërzitjes, se po i shqetësojnë padronin, dëgjohet më fortë se ajo e luanit të Kopshtit Zoologjik, apo altoparlantit të hoxhës së xhamisë aty pranë.

Në gjykimin tim, për të mbrojtur një figurë të diskretituar publikisht nga allishverishet e tij me bllok në dorë, duhet të jesh ose i marrë ose të paguhesh shumë shtrenjtë, një herë për fyerjen dhe dëmin moral që po i shkakton figurës tënde, për të mbrojtur të pambrojtshmen dhe një herë për kostot e ilaçeve që të duhen dhe …seancat me psikologun, për ta rimarrë veten sërish.

Por, siç duket edhe pas trajtimeve, konellapësit që mbijnë nëpër ekrane si kërpudhat pas shiut, nuk e paskan rifituar arsyen, ndaj të bëjnë përshtypje kur i dëgjon të argumentojnë se 1) mosha e Ministrit të ri të Jashtëm na qenka problem, 2) përvoja e tij brenda administratës gjithashtu dhe sipas tyre, e fundit por jo më pak e rëndësishmja, 3) kandidatura e Gent Cakaj, nuk na qenka fort e përshtatshme për të ushtruar detyrën e kryediplomatit të vendit… por të një ministri kulture, edhe pse asnjëri prej lehësave, por edhe padroni, nuk të bindin, madje të çorodisin kur u këqyr mirë shpirtin e pastaj surratin… kur kërkojnë t’i vejnë gjoksin “hallit” të padronit, si etalon matës për vlerësimin e moshës, profesionalitetit, e veçanërisht të kulturës e figurës së personit përballë.

Me thënë që të bëjnë me qesh, për këta ke thënë pak, madje nuk e teproj aspak me këta “surrat barsaleta”, që mundesh me u gajas ditë e natë!

Dikush duhet t’ua shpjegoi konellapsëve, se mosha e tyre për Gentin e ri, është veç një numër, për të ndarë dijen nga rrudhat, e kulturën nga thinjat! E për dijeni, thinjat e padronit, nuk e reflektojnë aspask dijen apo kulturën, por degradimin në shkallë sipërore të mendjes. Praktikisht, të jesh jo i ri në moshë, e të kesh rrudha, si këta “mendjehollë”, nuk tregon asgjë veç plakjen fizike të tyre, e jo më mençuri e maturi! Mund të përjashtojmë momentet kur tufa e langonjëve zgjedh të hesht, por budallallëkut është vështirë t’i vësh fre, e herët a vonë do të plas si gështenja në zjarr, para se t’ju qelbet goja dhe truri nga mosajrosja.

Konellapsëve, dikush duhet t’ua shpjegoi, se padroni i tyre me profesion shtangist dhe drejtues i Forumin Rinor Eurosocialist, ka drejtuar vendin në moshën 30 vjeçare, pa i thënë kush një ditë “puna e mbarë”! E këtu ka nevojë për një sqarim: Ministri i Jashtëm nuk është drejtuesi i politikave ndërkombëtare të një vendi, por zbatuesi i linjës politike së Kryeministrit të atij vendi. Pra praktikisht, Meta si Kryeministër në moshën 30 vjeçare, ka qenë drejtuesi i diplomacisë së kohës. Ndërsa për kujtesë, pas më shumë se një dekade, zgjodhi po një vajzë të re, sa mosha e tij kur drejtonte vendin, për të na integruar drejt kaosit, protestave dhe anarkisë.

Dikush duhet t’ia shpjegoi konellapsëve, që akuzohen për tradhëti, se padroni i tyre dorëlëshuar në kocka, për ata që prodhojnë ham-hame e tam-tame, nuk e ka tagrin të caktojë ministra, as të këshilloj apo të rekomandojë Kryeministrin në zgjedhjet e tij. Sikurse Rama, nuk do guxonte kurrë, e këtë e them me përgjegjësi, fjala vjen t’i rekomandonte Ilirit të dekoronte Monikën për “hedhje çizme për së gjati”, në vend të dekorimit të aktorit të njohur të humorit Gëzim Kruja.

Por Meta e bënë, sepse si filozofi pa shkollë njeh filozofinë e askushit, që për ca kohë i duket vetja gjithkushi, deri kur të vijë në vehte me ndihmën e… ligjit, që sa herë i përmend emrin, e “sterros” vendin.

Duke gjykuar si konellapësit e tarafit të tij, se rrudhat, e thinjat tregojnë “mençurinë” e Presidentit, mendoj se edhe Gent Cakaj nuk e beson, se Meta po i mbush të 50-tat, duke u argëtuar me idiotësitë e tij… si mençuri! Gjithësesi nuk duhet të harrojmë Presidenti, është thjesht i pafajshëm… “buri” i Monikës!/Ekskluzive.al

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here