Nga Alfred Peza/

Shqipëria nga sot e disa muaj të tjerë, përderisa Gjykata Kushtetuese të jetë në gjendje të japi një vendim pas ristrukturimit, do të ketë dy poste të larta me persona që do i ushtrojnë ato “de jure”. Presidentin e Republikës dhe ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme.

Për ironi të fatit, ato janë as më pak dhe as më shumë, por Ilir Meta dhe Edi Rama. Kreu I shtetit dhe kreu i ekzekutvit. Deri mbi një vit më parë, “bashkëkryetarë” të aleancës “Për Shqipërinë Europiane”. Ndërsa sot, i ndan një mal i tërë përplasjesh, për çështje dekretesh në pamje të parë.

Në thelb, ndarja ka si katalizator të fuqishëm mungesën e një “sistemi VAR” në sportin e politikës shqiptare. Mosqenia funksionale e Gjykatës Kushtetuese, e vendos Presidentin e Republikës sonë në mënyrë figurative, në një pozicion ku sa herë që i vjen topi i qeverisë në dorë, ti akordojë vetes por edhe ta gjuajë po vetë penalltinë, që vendos për fatet e lojës.

Kjo situatë absurd, e denjë për një “lojë futbolli” në xhungël, por jo në një demokraci europiane normale dhe funksionale, ka detyruar Kryeministrin që të kërkojë çdekretimin e ministrit në detyrë dhe të dërgojë në Presidencë jo më emrin e Gent Cakës por emrin e tij, për të ushtruar edhe “de jure” funksionin e shefit të diplomacisë shqiptare.

Vetë z. Rama është kujdesur që ta theksojë këtë përcaktim, për arsyen e thjeshtë, sepse ai vërtetë do të jetë “de jure” ministër I Jashtëm, por “de facto” ai ka qenë, është dhe do të mbetet i tillë, për aq kohë sa këtë detyrë ia ka ngarkuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 102 pika 2 të dokumentit themeltar të shtetit, përcaktohet se Kryeministri “koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe përgjigjet për to”. Bashkë me detyrat si drejtues I Këshillit të Ministrave, është e qartë se Kryeministri Edi Rama dhe çdo kryeministër tjetër që ka patur Shqipëria përfshi edhe Ilir Metën dikur, është udhëheqësi “de facto” i politikës së jashtme shqiptare.

Megjithatë, praktikisht pjesën më të madhe të barrës dhe përgjegjësive, edhe pas kësaj do ti mbajë me sa duket Gent Caka i cili ishte i denjë për tu bërë sipas Ilir Metës, çfarëdolloj ministri tjetër në qeverinë e Republikës së Shqipërisë, por vetëm ministër I Jashtëm, JO!

Sigurisht që pas kësaj, është thënë e stërthënë, se rasti Gent Caka për Presidentin ishte thjeshtë një sebep dhe jo një shkak. Një sebep që nisur nga sjelljet e tij institucionale muajt e fundit, në raport me qeverinë, do ta gjendet tek një “Gent Cakë” tjetër edhe nëse emri I tij nuk do të figuronte fare tek lista e ministrave të rinj të dërguara për dekretim. Rasti I Sandër Lleshit e tregon më së miri këtë.

Të gjitha këto, tregojnë se Ilir Meta duke qenë “de jure” kreu I shtetit, po vepron “de facto” si shefi në hije, apo si kryetari alternativ I opozitës. Duke qenë vetëm “de jure” President I Repubilkës, Ilir Meta po vepron “de facto” si kryetar I LSI.

Në këto kushte, më shumë sesa detyroi Edi Ramën që të ndjekë këshillën e tij për tu bërë “de jure” edhe ministër I Jashtëm, Ilir Meta do të mbahet mend si I pari politikan në historinë e Shqipërisë, që e shndërroi Kretarin e Shtetit, në një President vetëm “de jure”!

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here