Tashmë është e qartë si drita e diellit, se përse opozita jashtparlamentare e Shqipërisë, nuk e pranon as dorën e shtrirë dhe as të ulet në tavolinën e dialogut me Edi Ramën. E gjitha kjo, për arësyen e thjeshtë se për lidershipin e saj, ka një dallim tejet thelbësor mes Kryeministrit dhe Kryetarit të PS. Mes shefit të qeverisë dhe shefit të mazhorancës. Mes nr. 1 të ekzekutivit dhe Nr. 1 të partisë së vetme në pushtet.

Shumëkush mund të pyesë se si është e mundur kjo, kur përgjatë gjithë këtyre viteve si për Sali Berishën e Lulzim Bashën ashtu edhe për Ilir Metën e Monika Kryemadhin ai ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë një dhe i vetëm: Edvin Kristaq Rama?!

Për të gjithë ata që nuk arrijnë të dallojnë diferencën që sheh lidershipi i opozitës mes Edi Ramës Kryeministër dhe Kryetar partie, tani e tutje e ka një shpjegim jo vetëm më të dukshëm, por edhe më të prekshëm.

Ka më shumë prova e dëshmi, argumenta, deklarata e qëndrime që na japin mundësinë ta perceptojmë dallimin pafundësisht të thellë e të papajtueshëm që ka për opozitën tonë pamja e Edi Ramës, “bardh e zi”. Veç për një gjë ju siguroj që tani, se kjo nuk ka lidhje asfare në këtë rast, me faktin se ai është një tifoz i “Juventusit” dhe se vesh herë pas here “fanelën” e saj me këto dy ngjyra ekstreme.

Ky dallim lidhet me vetë thelbin ekzistencial të lidershipit kryesor të opozitës sonë tradicionale, përballë drejtësisë së re dhe pamundësisë së mbijetesës së saj, jashtë sistemit politik të vendit pas 30 Qershorit. Duke qenë njeriu më i qartë i opozitës në këtë situatë, ndoshta për këtë e ka patur fjalën edhe ish Kryeministri Sali Berisha, kur deklaroi sëfundi se mosbindja “ose do ta përmbysi këtë regjim, ose opozita do të shkojë drejt shuarjes së saj”.

Ajo që është kuptuar tashmë, është fakti se Edi Rama po ofron sistematikisht e publikisht dialog për të adresuar garancitë për zgjedhje të lira, demokratike e me standarted maksimale, por nuk po ofron një marrëveshje. Çfarë do të thotë kjo? Përvoja e marrëveshjeve politike në Shqipërinë e postkomunizmit; 1991-1992, ajo e 1997 dhe e 2002, na ka mësuar se ato janë shoqëruar gjithmonë edhe me amnisti që u jep imunitet drejtuesve politikë, për “mëkatet juridike” në emër të pushtetit.

Një nga drejtuesit politikë të PD deklaroi javën e shkuar se ata e pranojnë Ramën në tryezën e dialogut vetëm si Kryetar të PS, por jo si Kryeministër. “Ne nuk e njohim Edi Ramën si Kryeministër, por nuk kemi legjitimitet për të mos e njohur atë si kryetar partie”,- ishte fjalia që në kontekstin e kësaj analize mund të përkthehet: Pasi të marim një amnisti me një kryeministër tjetër (“të qeverisë tranzitore”…), ne skemi asnjë problem që të ulemi me Edi Kristaq Ramën, për të vendosur pas kësaj, rregullat e lojës për zgjedhjet e parakohëshme.

Sali Berisha deklaroi në “Ora News” se “ulja e Bashës me Ramën kryeministër, është puthja me Judën. Pikë! Ulja e zotit Basha me Ramën me kreun e PS-së pa qenë kryeministër, është tjetër. Nuk besoj se zoti Basha dhe askush tjetër ka autoritetin dhe të drejtën tu kërkojë socialistëve shqiptarë, se cilin do të kenë kryetar. Kjo nuk do të ndodhi.”

Për ta kuptuar këtë metaforë, duhet ti referohemi Biblës. Nëse fabula e krishtërimit do të ndodhte sot në Tiranën politike, i bie që Juda të jetë Lulzim Basha dhe Krishti, Sali Berisha. Sipas ungjijve, Jezusi shkoi në Jeruzalem gjatë festës së Pashkëve, sëbashku me nxënësit e tij. Kur ndodhej në Kopshtin e Getsemanit për tu lutur, Krishti u kap nga ushtarët romakë me urdhër të Sanhedrinit dhe priftit epror Kaifas. Sipas Lukës, Jezusi u tradhëtua nga nxënësi i tij Juda me anë të një puthje, që do ti tregonte armiqve se cili ishte i kërkuari…

Pas kësaj, besoj është më e qartë për të gjithë, se “çfarë ka dashur të thotë autori” në këtë rast. Po a ka ndonjë rrugë tjetër për të dalë nga kjo situatë politike në Shqipëri?

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, ka gjithmonë një mundësi e cila duhet gjetur. Sipas tij “kultura e kompromisit nuk është medoemos tipike për këtë vend; ajo duhet të bëhet një moment ku takohen interesat. Gjithkush duhet të bëjë një hap përpara. Ka një urë diku dhe unë jam i sigurt, se ekziston një mënyrë për ta kaluar këtë urë dhe për të siguruar që të gjendet dialogu. Kjo është në interes të shtetasve shqiptarë që duan që ky vend të ecë përpara.” Në kushtet kur mazhoranca është e vendosur që të shkojë në zgjedhjet e 30 Qershorit dhe opozita jashtparlamentare jo, Shqipëria duket sikur nuk ka shumë alternativa pas kësaj: Ose do të ecim drejt Golgotës, ose drejt urës…?!

Nëse Shekspiri do ishte gjallë, me siguri që do të na ofronte sot si rrugë të tretë, vargun e tij të famshëm: “Intrigë, veç rri në këmbë, pa mer çfarë rruge të duash!” Por, këtu nuk jemi në letërsi.