Ndihet një lloj ekzaltimi ndër të gjithë ata që kanë një zë publik brenda gardhit të opozitës jashtparlamentare, sa herë që janë përgatitur për të ushtruar dh unë, në protestat e këtyre 3-4 muajve të fundit. Një ekzaltim që duket se është një lloj karburanti cilësisht ndryshe, që mban ndezur jo vetëm shpresat e makinës së ëndrrave të tyre me pushtet në tavolinë, por edhe si hakmarrje ndaj PS dhe Edi Ramës.

Eshtë ajo ndjenja e ekzaltimit e të pafuqishmit, e të pamundurit dhe e të pashpresit, që e kemi njohur herët si qytetar të një shteti të vogël, kur të tjerët godasin e mundin më të pamundurin prej nesh, e që ne e duam aq shumë vetë por nuk e realizojmë dot. Duke qenë se nuk e rrëzuan dot Edi Ramën as me protestën “e madhe” të shkurtit, as me të marsi dhe as me atë të prillit, mendojnë se duke përdorur dhunë, do kenë një mundësi që të hakmerren përpara fillimit edhe zyrtarisht, të fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit.

Duke qenë se as nuk e “tronditën”, as nuk e “shokuan”, as nuk e “shembën” dhe as nuk e “përmbysën” qeverinë socialiste duan dhunë. Meqenëse nuk ia dolën as duke djegur mandatet, as duke dalë nga Parlamenti, as duke krijuar aleancën për të mos hyrë në zgjedhjet lokale dhe as duke ndaluar opozitarët e tjerë që të bëhen pjesë e procesit, besojnë se duke përdorur dhunë do i hapin disa plagë të reja zjarri, tymuesesh, thyerjesh dhe bojatisjesh institcioneve, do hakmerren ndaj Kryeministrit.

Si rrallëherë më parë, Ambasada e SHBA por edhe të tjerë, kanë njoftuar që tani se “në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës kompromentohet. Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës. Iu bëjmë thirrje të gjithë personave të përfshirë në protestën e së shtunës që të refuzojnë dhunën për të siguruar një protestë paqësore dhe konstruktive.”

Nisur jo vetëm nga këto radhë, por edhe nga informacione në rrugë të tjera si dhe duke parë ekzaltimin e mediave opozitare, kupton se është programuar nga organizatorët dhe udhëheqësit e protestës, që ndoshta të ketë dhunë. E që kjo të ndodhë, nuk është e vështirë. Lehtësia e gjetjes së disa militantëve syerrët apo njerëzve të tjerë të paguar, për ta realizuar këtë skenar, është e papërballueshme. Por, ato që duhet llogaritur që tani janë pasojat që ato sjellin, për lidershipin e forcave politike që i inspirojnë, i lejojnë dhe i frymëzojnë.

Si çdo e keqe sado e madhe e ka një të mirë, në këtë rast aktet e dhunës nëse ndodhin, do të jenë treguesi më i mirë për gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët për të parë tek lidershipi i opozitës sonë, se sa të dëshpëruar janë. Sesa të pashpresë. Sesa të gabuar janë në rrugën pa rrugë ku e kanë futur veten dhe atë pjesë të popullit opozitar, që besojnë tek ata.

Sepse gjithkush di që ta lexojë dhunën, si vazhdimin e politikës me mjete të tjera. Mjete këto, që mund të jenë instrumente për arritjen e qëllimeve për këdo tjetër, përveçse jo për parti, grupime dhe lëvizje politike në sisteme demokratike funksionale. Dhe fundi i atyre, siç e ka vërtetuar historia, dihet me siguri tashmë. Ndaj përdorimi i dhunës në protestën e së shtunës së 11 Majit, do të ishte akti i fundit i një dështimi të paralajmëruar për PD, LSI dhe aleatët e tyre përpara daljes përfundimtare nga sistemi politik i vendit.

Sepse të përdorësh dhunën në një protestë opozitare, në këtë rast do të thotë se thjeshtë ke firmosur me dorën tënde, çertefikatën e vdekjes së raportit tënd me popullin. Nëse ti ke mbështetjen popullore siç pretendon, ti imponohesh për çdo qëllim politik që do të arrish, me forcën e saj të jashtëzakonshme. Në mungesë të legjitimitetit, ligji i kompensimit të detyron që ti drejtohesh, akteve të dhunës. Duke vërtetuar me anë të kësaj, edhe publikisht, se aksioni yt ka rënë përfundumisht!