Dita e zgjedhjeve do jetë një ditë e qetë, pavarësisht çfarë thotë Partia Demokratike me retorikë dhe shkresa. Selia Blu i ka dhënë garanci ndërkombëtarëve, që 30 qershori nuk do të ketë dhunë dhe incidente të shkaktuara prej saj. Megjithëse PD nuk heq dorë nga mospranimi i zgjedhjeve dhe ka mobilizuar gjithë kryetarët e bashkive të tentojnë të pengojnë procesin zgjedhor. Kreu i saj i ka dhënë garanci ambasadorëve Leyla Moses-Ones dhe Soreca që trokitën të martën në zyrën e tij. Por ambasadorët kanë patur edhe një mesazh për Ramën: jo festë e fishekzjarre të dielën dhe të hënën.

Të dy ambasadorët kanë shkuar te Rama e Basha pas takimit që u mbajt në orën tetë të mëngjesit të të martës, siç edhe Realstory.al kishte lajmëruar një ditë më parë. Ambasadorët e BE, OSBE, Italisë, Gjermanisë dhe Britanisë, janë takuar për më shumë se një orë në zyrën e ambasadorit britanik në Rrugën e Ambasadave. Takimi sipas burimeve brenda tij do të prodhojë një deklaratë të përbashkët, ku do t’i kërkohet palëve të sigurojnë zgjedhje të qeta në 30 qershor, një mesazh ky direkt për Bashën si dhe në funksion të paqes dhe qetësisë, jo festë e fishekzjarre nga pala tjetër, një mesazh ky për Ramën. Burime diplomatike i pohojnë Realstory.al se i vetmi qëndrim “ndryshe” ka qenë ai i Britanisë, i cili ka “kërcënuar” të tërheqë vëzhguesit britanikë nga Veriu i vendit, nëse nuk garantohet siguria e tyre.

Soreca më pas është bashkuar me zonjën Moses-Ones , (SHBA nuk janë bashkuar tryezës, pasi qëndrimi i tyre ka qenë i qartë, për të mos pasur negociata, pa pasur një proces pa dhunë e incidente në 30 qershor), e më pas i janë drejtuar zyrave të Bashës e Ramës. Sipas burimeve diplomatike Basha i ka siguruar ambasadorët se e ka marrë mesazhin e qartë dhe se dhuna verbale e 24 orëve të fundit është “për të mos humbur entuziazmin e bazës”, e cila mund ta interpretojë si humbje, mbajtjen e zgjedhjeve nga të cilat u vetëpërjashtuan e që po mbahen me Ramën (akoma) kryeministër.

Por duket se shpresat për një dialog politik pas një 30 qershori të qetë, pa incidente e festa, janë shtuar. Ambasadorët kanë diskutuar sërish mundësinë e ardhjes pas zgjedhjeve të një të Dërguari të Posaçëm, i cili të nisë ndërmjetësinë mes palëve. Momenti më delikat është ai i një takimi Basha-Rama, pas refuzimit të prerë të të parit për të bërë një gjë të tillë, sa kohë Rama është kryeministër. Por duket se edhe këtu është gjetur një dakordësi “teknike”. Fillimisht do të realizohet takimi i Bashës me një politikan socialist të “pranueshëm” për të, e më pas edhe takimi me Ramën.

Dihet se Basha ka një miqësi me Pandi Majkon, me të cilin është takuar edhe në 2017, gjatë periudhës së çadrës në Rogner. A thua dhe pajtimi do kalojë sërish mes duarve të tij?

Rëndësi ka që pavarësisht çfarë thuhet e shkruhet, palët do përpiqen (s’kanë ku shkojnë) të sillen mire dhe urtë në 30 qershor, një datë që është e rëndësishme më shumë për ndërkombëtarët, sesa ata vetë. Puna më e madhe i mbetet Bashës, të cilit përveçse me të vërtetën si zakonisht, i duhet të përballet dhe me linjën e ashpër Brenda PD të përfaqësuar nga Berisha e që ka jo pak mbështetje. Burime diplomatike të konfirmuara edhe nga vetë Brenda PD, flasin se Basha e Berisha nuk përjetojnë ditët më të mira mes tyre. 30 qershori ndoshta do të jetë provë edhe për këtë: nëse Basha e ka apo jo në kontroll Partinë. Nëse s’ka incidente i bie që meqë s’mundi Ramën, së paku të mundë Berishën dhe tu tregojë ndërkombëtarëve se e “vrau” babën e vet. Nëse në 30 qershor në PD triumfon linja e dhunës dhe e forcës, atëherë Lulzim Bashën nuk ka askush që ta shpëtojë. As Berisha, as ndërkombëtarët dhe as Rama vetë!