Një moment i veçantë gjatë Panairit të Librit ‘Tirana 2018’ ishte promovimi i librit ‘Lulëkuqja dhe Kujtimi’, i poetit të madh gjerman të pas Luftës së Dytë Botërore, Paul Celan. Ky libër vjen për herë të parë në shqip, i përkthyer nga origjinali, nga Anrila Spahija (Ana Kove). Në stendën e shtëpisë botuese ‘Toena’ ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz.

Në fjalën e saj Kumbaro tha se ky libër është një mjet i shkëlqyer i komunikimit ndërkulturor. Për këtë arsye tha Kumbaro, por edhe sepse Paul Celan i dha botës vargje të papërsëritshme, Ministria e Kulturës vendosi ta mbështeste botimin e tij në gjuhën shqipe.

“Nuk mjafton të jesh përkthyes për të përkthyer poezi, duhet të jesh poet të përkthesh poezi. Përkthyesja e ketij libri meriton dy emra, edhe atë të përkthyeses Anrila Spahija edhe atë të poetes Ana Kove”, tha Kumbaro, duke theksuar më tej rëndësinë për të punuar për librin.

“Të mos e humbasim këtë ushqim të jashtëzakonshëm për mendjen. Siç ndani muzikë dhe filma të bukur me njëri-tjetrin, ndani edhe librat me njëri-tjetrin. T’i bëjmë librat cool sërish”, iu drejtua ministrja e Kulturës të rinjve që ishin në stendën e ‘Toena’. Botimi në shqip i Paul Celan është mbështetur nga Ministria e Kulturës, ambasada gjermane në Tiranë dhe organizata ‘Traduki’, në të cilën Shqipëria u anëtarësua 4 vjet më parë.