Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi bën përgjegjës për situatën në vend dhe përplasjet në të gjitha bashkitë e drejtuara nga opozita kryeministrin Edi Rama. Në një status në “Facebook”, Bardhi shkruan se sulmi ndaj qytetarëve është i urdhëruar nga Rama dhe ai do mbajë përgjegjësi për nxitjen e konfliktit social.

Ai paralajmëron kryeministrin se fundi i tij do jetë i tmerrshëm.  “Sulmi ndaj qytetarëve në gjithë Shqipërinë është kriminal dhe i urdhëruar drejtpërdrejtë nga Edi Rama. Edi Rama do mbajë përgjegjësi për nxitjen e konfliktit social, dhunën ndaj qytetarëve dhe për cenimin e stabilitetit demokratik të vendit.

Fundi i tij do jetë i shpejtë dhe i tmerrshëm! Votime moniste, zgjedhje me bandat, vjedhje dhe blerje të votave, krim të ri zgjedhor në 2019, nuk ka për të pasur. Të vendosur për të mbrojtur Kushtetutën dhe demokracinë! Asnjë hap pas!”, deklaron Bardhi.

Theksojmë se në shumicën e Bashkive që drejtohen nga demokratët ditën e sotme kanë vijuar përplajet që nisën natën e djeshme  me djegien e shkollës në Shkodër nga militantët e PD-së të frymëzuar nga Voltana Ademi. Konfrontime ka patur në ambjentet e  KZAZ-ve Kamëz, Çorovodë, Pogradec, Gjirokastër dhe Burrel ku militantët para  tubimit ishin pajisur me shkopinj dhe gurë.