Sekretari amerikan i Bujqësisë, Sonny Perdue, i bëri thirrje Japonisë që të bie dakord për një marrëveshje tregtare me Washingtonin për produktet e bujqësisë, në mënyrë që të trajtojë vendin si “klientin kryesor”.

Ai tha se presidenti Donald Trump po kërkon të arrijë një marrëveshje sa më shpejtë. Trump do të takojë kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, më vonë gjatë muajit.

Megjithatë, ai tha se një dakordësi e shpejtë do të jetë e vështirë. Detajet e negociatave dhe afati kohor i arritjes së marrëveshjes i takojnë negociatorëve kryesor të të dy vendeve; përfaqësuesit të tregtisë Robert Lighthizer dhe ministrit japonez të ekonomisë, Toshimitsu Motegi.

Presidenti Donald Trump, që mirëpriti Shinzo Abe në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, kishte thënë se shpreson të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Japoninë përpara vizitës në Tokio më 25 Maj.

Bisedimet tregtare janë pjesë e iniciativës së Donald Trump për të përmirësuar marrëveshjet me partnerët kryesor tregtar, që janë Kina, Japonia dhe Bashkimi Europian.

Shtetet e Bashkuara rritën tarifat në 25% ndaj 200 miliardë dollarë mallrave kinezë javën e kaluar, pasi dështuan negociatat me Kinën për të ndrequr pabarazitë.