Deri në datën 17 Maj do të përfundojë e gjithë rruga Tiranë – Elbasan, duke i dhënë fund kështu, kalvarit të një problemi 7 vjeçar.

Lajmi është konfirmuar nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në studion e ERTV, një ditë pasi ajo dhe Kryeminsitri Rama njoftuan hapjen e krahut të majtë të kësaj rruge për automjetet, nga kryqëzimi i Ibës deri në hyrjen e tunelit.

“Deri në 17 maj ne deklarojmë me përgjegjësi që do përfundojë e gjithë rruga dhe do të dorëzohet sipas të gjitha kushteve teknike që parashikohen në kontratë. Vera ka trokitur e mbarë dje dhe solli zgjidhjen e një problemi 7 vjeçar. Projekti nisi në vitin 2012 dhe për shkak të mungesës së studimit gjeologjik pasi ka patur rëshkitje të skarpateve, ky projekt u tërhoq zvarrë për 7 vite. Dje të gjithë kanë shkuar në Elbasan dhe tashmë është realitet”, tha Balluku.

Paralelisht, ministrja tha se po zbatohet Strategjia Kombëtare për Sigurinë Rrrugore në vend, e mbështetur nag Banka Botërore.

“Jemi impenjuar për ta implementuar këtë startegji dhe kemi nisur dy projekte, eliminimin e pikave të rrezikshme të akseve rrugore dhe e dyta një raport mbi gjendjen e urave në vend që nuk ka reziltuar pozitiv se janë të amortizuara. Pas raportit pritet një planizim i punëve dhe ndëryjre konkrete”, tha Ministrja e Infrastrukturës.