Plagosja e dy protestuesve në kokë është denoncuar nga ish-kryeministri Sali Berisha si një akt dhune i policisë ndaj protestuesve paqësor gjatë protestës së mbrëmshme. Sipas ish-kryeministrit “Kriminele te narkopolicise civile kane goditur me qyte revolveri dhe shkaktuar plage te renda ne koke, ne hunde, ne nofull dhe trup protestuesve paqesor Ymer Çela dhe djalit te tij Erjon Çela”.

Por Report TV transmetoi ekskluzivisht Live gjatë protestës dhe i sjellim sërish sot pamje që rrëzojnë këtë qëndrim të ish-kryeministrit, pasi babë e bir janë plagosur në kokë gjatë një sherri mes protestuesve të armatosur me shufra hekuri.

Siç duket në këto pamje, Erjon Çela është protagonist i një përplasjes mes protestuesve të pajisur me hunj. Më pas në konflikt duket edhe babai i tij, Ymer Çela, zotëria me thinja. Në këtë moment, protestuesit që ndjekin Bashën për tek parlamenti i sulen grupit të Çelës dhe e qëllojnë me shufra hekuri në kokë, që këtu mund të shikoni edhe një herë në foto të postura nga Berisha.

Incidenti shumë i rëndë jo vetëm tregon gënjeshtrën e radhës të Sali Berishës, por edhe fakton që një pjesë e protestuesve në fakt kanë shkuar në shesh të përgatitur me shufra hekuri në përballje me policinë.