Një aksion politik mjaft intensive ka nisur të lëvizë në radhët e opozitës shqiptare që nuk pranon të braktisë sistemin politik, menjëherë pas deklaratës së kryediplomates amerikane në Tiranë për Zërin e Amerikës se partitë duhet të regjistrohen në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka pasur një lëvizje frenetike që ka nisur me deklaratën e Rudina Hajdarit në Parlament por jo vetëm.

Parti politike aleate të Lulzim Bashës deri tani janë regjistruar si subjekte politike në zgjedhjet e 30 qershorit.

Ndërkaq, Rudina Hajdari ka shpallur krijimin e një partie të re politike që është emërtuar “Bindja Demokratike”.

Deri më tani po diskutohet se Rudina Hajdarit do t’i bashkohet ish-nënkryetari i PD-së Astrit Patozi. Ky i fundit e ka mbështetur publikisht aksionin opozitar brenda Parlamentit të deputetes që refuzoi vendimin e Lulzim Bashës dhe strukturave të tjera të PD-së për të dorëzuar mandatet.

Për regjistrimin e partisë së re, Rudina Hajdarit dhe bashkëpunëtorëve të saj u nevojitet mbledhja e tre mijë firmave. Procesi i mbledhjes së tyre ka nisur, por mbetet për t’u parë nëse ato do të dorëzohen në kohë brenda ditës së martë, kur është afati i fundit i regjistrimit të partive që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Sinjalin e radhës se nuk kishte ndërmend që të bojkotonte zgjedhjet për pushtetin vendor që po afrojnë, deputetja e dalë nga listat e Partisë Demokratike e dha në seancën e fundit të Parlamentit. Në këtë seancë u ndanë grupet parlamentare të PD-së dhe LSI-së, një vendim që juridikisht ka shkaktuar pështjellim, nëse është ligjor apo jo.

Ngërçi duket se është kapërcyer, pasi vetë grupi i drejtuar nga Rudina Hajdari mban një emër tjetër nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ai quhet “Grupi Parlamentar Demokrat”. Në fjalimin e mbajtur nga foltorja më 18 prill, ajo foli me bindje se personalisht dhe deputetët e tjerë që kishin refuzuar urdhrin e djegies së mandateve përfaqësonin interesin e publikut dhe kërkoi ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Ne kemi bindjen e plotë se përfaqësojmë interesin publik, në një masë shumë të gjerë, që shkon përtej Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat sipas nesh, janë forcat politike që kanë përfituar më së shumti nga ky sistem dhe sipas të gjitha gjasave do të përpiqen ta ruajnë atë të pandryshuar”, deklaroi ajo ndër të tjera.

Bojkotin e cilësoi vetëvrasje politike dhe kërkoi edhe njëherë që partitë e opozitës ta rimendonin këtë vendim, por duke mos u ndalur me kaq.

Ndërkaq, kjo është vetëm një pjesë e panoramës që po ndodh djathtas, pasi ndërkaq, dy partitë e Ballit Kombëtar janë pjesë e Parlamentit dhe së shpejti pritet të jenë subjekte në zgjedhjet vendore kryesisht në bashkitë ku ata e ndjejnë veten të fortë.

Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut, që dy vjet më parë ishte në çadër me Lulzim Bashën tashmë po vrapon për të mbushur boshllëkun e lënë nga PD në zgjedhje.

Nga ana tjetër edhe parti të vogla si Arian Galdini me LDE dhe të tjerë po ecin shpejtë për të gjetur sado hapësirë për të kandiduar.

Bamir Topi, nga ana e tij ka shumë gjasa të kandidojë në Tiranë e Durrës për të marrë asetet e tij si pjesë të këshillave bashkiake.

Kurse në qytete të mëdha si Shkodra, apo edhe Kavaja, pritet që kandidatë të pavarur me integritet nga e djathta të kandidojnë përballë atyre të Partisë Demokratike.

Me një fjalë, po ndodh një dialektikë normale demokratike që shumë analistë e gazetarë në vend nuk mendonin se mund të ndodhte, pasi kujtojnë se monopolin e përfaqësimit të së djathtës e ka vetëm Partia Demokratike.

Në fakt, nuk ndodh kështu, pasi tashmë po bëhet e qartë se kauza e Bashës është thjesht një qëndrim për interesa të ngushta të Berishës apo edhe Metës, që shtynë në vendimin ekstrem për djegien e mandateve.

Nesër është afati i fundit për regjistrimin e partive në KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit. Meqë është pushim, afati i fundit është të martën.

Deri tani në KQZ janë regjistruar 25 parti, ndërsa kanë aplikuar për t’u regjistruar 8 parti të tjera, duke e çuar në 33 numrin e partive që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

8 partitë e reja do të regjistrohen të martën nga KQZ, ndërsa 1 parti, Aleanca Demokratike e Eduard Abazit, për shkak se nuk ka kthyer fondet e marra paraprakisht nga KQZ, është në kushtet për të mos u regjistruar nga KQZ.

Nga partitë e regjistruara, bien në sy 5 parti që dikur kanë qenë aleatë të Bashës, Bashkimi Demokrat Shqiptar me kryetar Ylber Valteri, Partia Ora e Shqipërisë e drejtuar nga Zef Shtjefni, Bashkimi Liberal Demokrat e drejtuar nga Arian  Starova, Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë e Arian Galdinit, si dhe Partia Kombëtare Konservatore e drejtuar nga Kujtim Gjuzi.

REGJISTRUAR

ALEATË TË RAMËS

  1.  Partia Socialiste e Shqipërisë          Edi Rama
  1.  Partia Socialdemokrate Shqiptare  Skender Gjinushi
  1.  Partia e Gjelbër                                Edlir Petanaj
  1.   Partia Kristian Demokrate               Dhimitër Muslia
  1.  Partia Aleanca Demokristiane          Zef Bushati
  1.  Partia Socialiste e Moderuar            Gjergji Koja
  1.  Partia Unitetit Kombëtar                   Idajet Beqiri
  1.  Partia Emigracionit Shqiptar             Kostaq Papa
  1.  Personat me Aftësi të Kufizuar         Gjovalin Shqalshi
  1.  Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare  Genci Sakaj
  1. Partia e të Drejtave të Mohuara       Ilir Vata
  1. Demokracia e Re Europiane            Koçi Tahiri
  1.  Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane       Valentino Mustaka
  1. Partia Demokrate për Integrim dhe Prosperitet Kujtim Muça
  1. Partia Ardhmëria Shqiptare                     Emin Subashi
  1. Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen      Kristo Kiço
  1. Partia për Demokraci dhe Solidaritet       Gaqo Apostolo
  1. P. Për Mbrojtjen e të drejtave te emigranteve    Ymer Kurti
  1. Partia Komuniste e Shqipërisë                  Qemal Cicollari

ALEATË TË BASHËS

  1. Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar Ylber Valteri
  1. Partia Ora e Shqipërisë                     Zef Shtjefni
  1. Partia Bashkimi Liberal Demokrat   Arian Starova
  1. Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë Arian Galdini
  1.  Partia Kombëtare Konservatore                 Kujtim Gjuzi

JASHTË KOALICIONEVE

  1.  Partia për Mbrojtjen e te Drejtave të Puntoreve   Kadri Isufaj

KANË BËRË KËRKESË NË KQZ, REGJISTROHEN TË MARTËN

JASHTË KOALICIONEVE

  1. Fryma e Re Demokratike       Bamir Topi
  1. Lista e Barabartë                   Ben Blushi
  1. Partia Zgjidhja                       Koço Kokëdhima

ALEATË TË RAMËS

  1.  Partia Demokracia Sociale             Paskal Milo
  1.  Partia Ligj dhe Drejtësi                    Spartak Ngjela
  1.  Partia Socialpuntore Shqiptare       Ramadan Ndreka
  1.  Partia e Reformave Demokratike   Krenar Rryçi
  1.  Pajtimi Kombëtar Shqiptar            Spartak Dobi

NË KUSHTE PËR T’U MOS REGJISTRUAR. NUK KA KTHYER FONDET

  1.     Partia Aleanca Demokratike Shqiptare            Eduart Abazi