Opozita thotë se vetëm një qeverisje tranzitore me një mandat 6-mujor mund të çojë vendin drejt një stabiliteti, që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

I ftuar në studion e lajmeve të RTV Ora, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu përmend disa emra nga PS dhe PD, të cilët sipas tij, janë të denjë për një qeveri tranzitore dhe që mund të bashkëpunojnë me një platformë veprimi.

Ai përmend si kryeministër të mundshëm “Tsiprasin” shqiptar, Arben Malaj, dhe ministra Arta Daden, Mejdanin, Besnik Mustafajn, Myqyrem Tafaj etj.

“Kur unë kam përmendur Arben Malaj, Arta Dade, Rexhep Mejdani, Namik Dokle, Ndre Legisi pra disa autoritete politike të PS nuk është se këndvështrimi im politik është i njëjtë me ta.

Por besoj që kanë treguar që kanë autoritet për ti shërbyer interesave të vendit, jashtë këtyre interesave manipulative.

Nga ana tjetër kur them Besnik Mustafaj, Anila Godo, Rexhep Uka, Myqerem Tafaj dhe plot emra të tjerë, kanë të bëjnë me disa njerëz që besoj, gjykimi im, jam subjektiv ndoshta, kanë një vlerësim nga gjithë opinioni publik për qëndrimet dhe punën e tyre.

Pra kanë një lloj integriteti jo vetëm në raportet e brendshme politike, por edhe në raport me opinionin publik”, thotë Mediu.

Sipas tij, mundësitë janë dhe përtej emrave politikë:

“Ka mjaftueshëm njerëz nga të dyja krahët që mund të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin me një platformë të qartë veprimi të qeverisjes për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ka edhe akademikë, ka edhe profesionistë të mirë që janë shfaqur në jetën publike me qëndrime të sakta e të qarta për të mos e futur në anonimitet vendin dhe pastaj të jemi viktima të raporteve anonime.