Nga Alfred Peza/

As tetë protestat e deritanishme, as ajo e radhës më 13 prill në orën 18.00 në Tiranë, as vizita e zv. Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Europën Matthew Palmer në Shqipëri, as ecejaket e Lulzim Bashës në Berlin, as mallkimet e Monika Kryemadhit ndaj Edi Ramës dhe as thirrjet e “sinqerta” të Ilir Metës për dialog, nuk i kanë mjaftuar opozitës që të mari ndonjë sinjal shprese, për arritjen e qëllimeve të saj.

Vendin e ekzaltimit në orët e djegies ”on block” të mandateve të të gjithë deputetëve të opozitës, e zuri entuziazmi i protestave të para. E më pas, sa më shumë ditë dhe javë kaluan, aq më shumë binte euforia e zgjidhjes që do të vinte nga lëvizja “in extremis”, e cila ishte shitur si zbulimi i misterit më të madh politik, prapa së cilës fshihej zgjidhja “deus ex machina” e rikthimit të opozitës sa hap e  mbyll sytë, në pushtet.

Pasi ra miti i rremë i revolucionit popullor që do të fshinte Edi Ramën për ta hedhur në Lanë; pasi ra miti i rremë i konsultimit me aktorët dhe faktorët ndërkombëtarë për hapin e paprecedentë që po hidhej; pasi ra miti i rremë i fitores së pushtetit në tavolinë; pasi ra miti i rremë se vendi ishte në krizë për shkak të vjedhjes së zgjedhjeve të 2017, për shkak se qeveria dhe Parlamenti nuk ishin legjitimë,- u zbuluan shumë të vërteta të hidhura. Të vërteta të cilat bënë që propaganda opozitare, e fryrë dhe e fryrë si kurrë më parë në këto 30 vjet të postkomunizmit shqiptar, të shfryhej e të shfryhej dita ditës, si një ballonë e shpuar që po u shitej qytetarëve si “qilimi fluturues” drejt ëndrrave me pushtet në tavolinë.

Pas kësaj, u kuptua se sado e bukur dhe e marketuar me mjeshtëri, gënjeshtra e madhe herët ose vonë, do të sjelli një zhgënjim po aq të madh sa edhe pritshmëritë e krijuar prej saj. Ndaj, u kalua në planin “B” opozitar. Një plan që nuk mbështetej më tek masiviteti i protestave dhe tek ndryshimi i pashmangshëm që sjell fryma popullore, por tek gjëra më pak të dukshme. Me pak të prekshme. Më pak të perceptueshme. Më pak të verfikueshme. Më pak të kuptueshme dhe më shumë të manipulueshme.

Plani “B” nisi ti kërkoi zgjidhjet tek negociatat me ndërkombëtarët, tek bisedimet underground, tek thirrjet për dialog, tek sondazhet, tek intervistat e personazheve më të besueshëm jo vetëm për opozitën, tek fake news-et, tek premtimet e një të ardhmje si në përallat e “njëmijë e një netëve”, tek sjellja e ekspertëve të huaj për përzgjedhje kandidaturash për kryetar bashkish dhe deputetët e ardhshëm, e shumë e shumë makinacione të tjera. Aq shumë energji negative harxhohen e harxhohen nga një pjesë e klasës politike në Shqipëri, sa nëse gjysma e tyre do të kishte shkuar për gjëra pozitive, ky vend të ishte bërë anëtare e BE sot e 10-15 vjet përpara.

Megjithatë kjo nuk do të thotë se ende nuk ka shpresë në kampin opozitar për objektivat e shpallur prej kohësh nga lidershipi i saj: Marje të pushtetit në tavolinë, nëpërmjet një qeveria tranzitore pa Edi Ramën Kryeministër. E si mund të arrihet kjo pas kësaj? Mbledhja e fundit me dyer të mbyllura brenda PD, referuar raportimeve të mediave, na ka ofruar dy mënyra.

E para, është mënyra optimiste e Lulzim Bashës i cili është i vetmi që sheh se opozita “e ka të gjithë situatën në favor”. Sepse po ti besosh Bashës “në jemi de facto shumicë. Që pas djegies së mandateve, PD ka një rritje të menjëhershme edhe mes të pavendosurve. Jemi shumicë absolute në çdo sondazh të pavarur vendas dhe të huaj”. Por, pavarësisht kësaj, një Zot e di se pse duke qenë shumicë absolute ai vazhdon që ta lerë Edi Ramën të qeverisë dhe nuk hyn në zgjedhjet e 30 qershorit, për ta dëshmuar këtë! Dikush duhet ti rikujtojë Lulzim Bashës se është ende në fuqi oferta e PS, se nëse opozita fiton qoftë edhe një bashki më shumë në këto zgjedhje, në vjeshtë bëhen edhe zgjedhjet e reja të përgjithshme e të parakohshme parlamentare dhe ai automatikisht, bëhet vetë Kryeministër i ri i Shqipërisë.

E dyta, Sali Berisha ka ofruar një lexim dhe një opsion tjetër, shumë më realist se Basha, kur ka thënë se nisur nga sondazhet PD është në kuota të larta, ndërsa vetë kryetari i saj është ende në kuota të ulëta. Por, sipas tij, strukturat ruajnë skepticizmin derisa kryetari të shënojë fitore dhe pastaj ato ta quajnë lider. “Kryetari bëhet lider kur e çon partinë në fitore. Vetëm atëherë të thërrasin lider, e deri atëherë kryetarit i duhet të kalojë detin në këmbë”.

Kjo rrugë nëpër të cilën duhet të kalojë fitorja e PD, të kujton skenën “Biblike” të Moisiut, të dërguarit të Perëndisë që nxorri popullin e Izraelit nga skllavëria e Egjiptit dhe e priu atë për 40 vjet në tokën e premtuar përmes Detit të Kuq dhe shkretëtirës. Kur kaloi përmes detit, ai shtriu dorën e djathtë sipas urdhërit të Zotit dhe ajo iu bë digë që populli i tij të kalonte në rrugën që u hap, derisa njerëzit e kaluan detin në këmbë, drejt tokës së zgjedhur. Moisiu në një zbulesë hyjnore në Malin e Sinajt, mori edhe ligjet e shkruara nga vetë dora e Perëndisë, me atë që njihet gjerësisht si: 10 urdhëresat!

Pas kësaj, të gjithë po presin Lulin që ti prijë drejt “tokës së premtuar” të rikthimit në pushtet, duke e kaluar detin nën udhëheqjen e tij magjike, mes për mes në këmbë. Kushdo që e njeh tashmë si lider politik, është gati që ta nisë që në 13 prill udhëtimin “Biblik” të kohëve moderne. Po shyqyr që protesta do të jetë natën, në mënyrë që gjithkush kur të largohet, të mos bjerë në sy të të tjerëve! E kur ti dali gjumi në mëngjes, Luli të kuptojë se paska qenë përsëri, në ëndrrën e gjumit të radhës.