Protesta e opozitës dhe propozimi i Bashës për djegien e mandateve ka qenë tema kryesore e diskutimeve në grupin parlamentar të PS.

Gjatë fjalës së tij para deputetëve kryeministri ka falenderuar policinë për manaxhimin e protestës dhe reagimin ndaj dhunës së opozitës.

“Le ta përgëzojmë e falënderojmë te gjithë se bashku ministrin e brendshëm e përmes tij drejtuesit e punonjësit e Policisë se Shtetit, për menaxhimin e shkëlqyer te nje proteste te gatuar për dhune e per destabilizim. Kush kërkoi dhune u përball me një model krejt te ndryshëm sjelljeje te pushtetit ndaj protestuesve, përkundër modelit kriminal te atyre qe dje vranë protestuesit, sot duan te vrasin shpresën europiane te shqiptareve”– ka thënë Rama.

Kryeministri është shprehur para deputetëve socialistë se Basha po luan blofin me kërcënimin për djegie mandatesh.

“Opozita dështoi me sukses te plote ne orvatjen e saj të dëshpëruar dhe tani premton djegie mandatesh. Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashes, pra një çadër ne forme bojkoti para zgjedhjeve te qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Dhe Lulzimi e di këtë, por luan blofin”– ka thënë Rama.

Kreu i qeverisë ka kërkuar nga deputetët të vazhdojnë punën për pargatitjet për zgjedhjet vendore, pavarësisht qëndrimit të opozitës.

“Sidoqoftë ne do te ecim drejt, duke dëgjuar njerëzit, duke e përmirësuar çdo dite qeverisjen, duke u organizuar me mire se asnjëherë për zgjedhjet vendore. Hyjnë nuk hyjnë ata ne zgjedhje, (qe unë them qe do hyjnë pasi te bëjnë sikur nuk hyjnë deri ne minutën e fundit), ne duhet te fitojmë jo thjesht votat e shumicës, po zemrat e besimin e edhe me shume qytetareve se sa herën e shkuar”– ka thënë kryeministri./Tiranapost