Përmes një njoftimi, Ambasada e SHBA në Tiranë i bën thirrje qytetarëve amerikanë që të evitojnë zonën e Kryeministrisë, në orën 18:00, kohë kur do të mbahet edhe tubimi i opozitës.

Në të njëjtën kohë ambasada kërkon nga shtetasit amerikanë që po ashtu të evitojnë edhe zonat përreth Kryeministrisë dhe parlamentit. Ndërsa thekson se kohëzgjatja e protestës nuk dihet ende.

“Evitoni zonën te Kryeministria në orën 18:00. Kohëzgjatja e protestës nuk dihet. Evitoni zonat përreth kryeministrisë e Parlamentit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Kjo nuk është hera e parë që në protestat e opozitës, ambasada amerikane u kërkon shtetasve të saj të qëndrojnë larg vendit të tubimeve. Kjo për shkak të akteve të dhunës që jo në pak raste kanë karakterizuar protestat e opozitës së bashkuar.

Po ashtu ambasada e SHBA por edhe shërbimet e tjera diplomatike në vendin tonë kanë dënuar aktet e dhunës të shfaqura në protestë duke bërë thirrje për tubime paqësore.