Krahas buxhetit të ministrisë së Arsimit që rezervon një fond të veçantë 150 oficerëve të sigurisë në shkollat e mesme, ministria po bashkëpunon me donatorë dhe ministrinë e Brendshme për të mundësuar një ambient sa më të sigurt edhe jashtë mureve të shkollës.

“Për problemin e sigurisë në shkolla, ky buxhet mundëson funksionimin e 150 punonjësve të sigurisë në shkollat për Arsimin e Mesëm të Përgjithshëm. Ne po bashkëpunojmë edhe me donatorë edhe me ministrinë e Brendshme në mënyrë që alokimi i oficerëve të sigurisë jo vetëm të rrisë kushtet e sigurisë në shkolla por të mundësohet që të jetë një instrument i rëndësishëm edhe me komunitetin edhe me pushtetin vendor edhe me Komisariatin e Policisë në mënyrë që edhe shkolla jo vetëm brenda mureve të saj, por edhe në rrethin e dytë e të tretë të ofrojë siguri dhe larg gjithë veseve”, -tha ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla gjatë prezantimit në parim të pr/buxhetit të 2019 në komisionin e medias.

Ndërkaq, ajo solli në vëmendje edhe dyfishimin e numrit të mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuar, numër ky që ka shkuar në 700 këtë vit.

“Dyfishimi i mësuesve ndihmës që ka shkuar në 700 për fëmijët me aftësi të kufizuar por patjetër të krijojmë lehtësira të tjera që lidhen me shërbimin psiko-social duke mundësuar një psikolog dhe punonjës sociale për çdo 2.800, 3.500 nxënës”, -u shpreh ministrja.