Barcelona raportohet se ia ka bërë zyrtarisht një ofertë Paris Saint-Germainit për transferimin e Neymarit pa ia paguar asnjë cent, por duke ia ofruar tre futbollistë nga lista e skuadrës katalonase. Neymari mbetet në qendër të vëmendjes pasi që spekulimet për të ardhmen e tij janë intensifikuar gjatë javëve të fundit. Ditët e tij në Paris duket se janë të numëruara dhe raportimet e fundit sugjerojnë se Barcelona tashmë ka bërë zyrtarisht ofertë për brazilianin, transmeton Gazeta Express.

Sipas të përditshmes gjermane, Bild, Barcelona ia ka ofruar Paris Saint-Germainit shkëmbimin e tre futbollistëve me Neymarin. PSG-ja ka mundësi të zgjedhë tre futbollistë nga katërshja: Philippe Coutinho, Ousmane Dembele, Samuel Umtiti dhe Nelson Semedo. Për Philippe Coutinhon dhe Ousmane Dembelen është spekuluar se ata dëshirojnë të largohet nga klubi katalonas, pasi që besojnë se nuk do të kenë mjaftueshëm mundësi për ta dëshmuar veten në skuadër.

Chelsea, Manchester Unitedi dhe PSG-ja besohet se janë duke e vëzhguar Coutinhon. Dembele, i cili ia kushtoi Barcelonën 97 milionë funte, e ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e PSG-së. Gjiganti francez tani e ka mundësinë t’i marrë në skuadër këta dy futbollistë, pasi që Barcelona është e gatshme t’ia japë të dy si dhe një futbollist tjetër në shkëmbim për Neymarin.

Trajneri Thomas Tuchel duhet të zgjedhë edhe mes mbrojtësve Umtiti dhe Semedo. Umtiti do t’i jepte atij siguri shumë më të madhe në fazën e mbrojtjes, ndërsa Semedo mund ta zëvendësojë Dani Alvesin në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë. Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, të martën zbuloi se kampioni francez është i gatshëm ta lejojë largimin e Neymarit nëse ndonjë klub bën ofertë mjaftueshëm të mirë.

“Neymar mund të largohet nga PSG-së, nëse ka ofertë që i përshtatet të gjithëve. Por, deri më tani, ne nuk e dimë nëse dikush dëshiron ta blejë atë apo për çfarë çmimi. E gjitha kjo nuk bëhet brenda ditës, kjo është e sigurt”, tha Leonardo për Le Parisien. “Është e qartë për të gjithë se Neymari dëshiron të largohet, por në futboll, ti thua diçka sot dhe nesër diçka tjetër. Është e mrekullueshme, por kjo është e vërteta”.

“Ne folëm me përfaqësuesit e tij gjithashtu. Të gjithë dinë gjithçka. Pozita është e qartë për të gjitha palët. Por, një gjë është e sigurt sot: ai i ka ende tre vjet në kontratën me ne dhe pasi që ne nuk kemi marrë asnjë ofertë, nuk mund të diskutojmë gjithçka”. “Nuk kemi marrë asnjë ofertë. Por, është e vërtetë, ne kemi pasur negociata shumë sipërfaqësore me Barcelonën. Ata na thanë se dëshiron ta blejnë, por ne nuk ishim shitës. Bartomeu tha ashtu, por ne nuk e pamë që Barcelona ishte me të vërtetë në pozitë blerëse”.

Komentet e Leonardo erdhën në të njëjtën ditë kur PSG-ja bëri të ditur se do të ndërmarrin veprime ndëshkuese nga sulmuesit brazilian, pasi që ai nuk u shfaq për stërvitje të hënën, edhe pse babai i Neymarit tha se klubi ishte pajtuar që futbollisti të pushonte më gjatë.

“Ai nuk ishte këtu për stërvitje. Ai duhej të vinte dhe nuk erdhi. Por, ai e di që duhej të kishte qenë këtu. Ne do t’i analizojmë veprimet e mundshme, ashtu siç do të bënim për të gjithë punëtorët. Nuk e di kur do të vijë, gjithçka që di është se nuk erdhi me kohë”.