Nga Alma Nikolli

Po i shkrepja një fotografi mikes sime dhe për një moment e lashë. “Prit të largohemi pak të mos dalin mbeturinat në sfond”, i them. “Jo, jo, lëri, ashtu është relaiteti, shkrepe”. Që të dilja mirë para teje që po më lexon (nëse nuk e ke lënë pas fjalisë së parë) duhet ta “modifikoja” këtë moment.

Ndoshta duhet të thoja që e lamë fotografimin dhe mblodhëm mbeturinat, por në fakt nuk e bëmë. Ajo që bëmë ishte një fotografi me mbeturina në sfond.

Tani, kur kanë kaluar pak vite do zgjidhja të kishim vepruar ndryshe, por sidoqoftë përcollëm virtualisht një të vërtetë, atë të mbeturinave. Pushkatomëni, po deshët…virtualisht.

Kjo ndodhi m’u kujtua sot, pasi hodha në “Instagram” fotografinë e një bilete autobusi. “Tiranë-Dhërmi”. Zakonisht postojmë fotografi vetëm të biletave të avionëve.

Këtu u mundova ta vë theksin, sigurisht me pak humor(ose tentativë për humor). Tregojmë anën e bukur të udhëtimeve, ndonjëherë edhe themi se u kënaqëm më tepër se realisht jemi kënaqur, që të qëndrojmë edhe nga ana e ndjesive në lartësinë e fotografive.

Po a gënjehet vetja? A ka lindur ende një mashtrues kaq perfekt? Të besojë gënjeshtrën e vet dhe të jetojë në lumturi? Do të ishte sikur dikush të gjente pijen e përjetësisë, por ajo qenka e shkruar të mos ekzistojë a gjendet.

U habita me reagimet e shumta te postimi im. Ishin kryesisht të vajzave që punojnë vetë për të realizuar udhëtimet modeste që bëjnë. Reagime të vajzave që ashtu si mua, ndonjëherë u duhet t’i bien me avion nga Shkupi për diku, se bileta është më lirë.

Po këto gjëra s’para i themi, se ka të vërteta më të bukura për të ndarë me dynjanë. Të vajzave që po qeshnin me biletën time, sepse po u kujtoja veten. Të shoqeve të mia që janë si unë, sepse ndryshe nuk do i kisha shoqe. Vetëm se unë bashkë me to, do përpiqemi që të ia tregojmë botës jetën më pak të modifikuar.

Ja kështu si me të qeshur. Jo se djemtë janë ndryshe ëëëë, po qëlluan vajza, deri tani.

Jeta virtuale na ka dyzuar. Po pse kemi turp nga jeta që kemi? Nga farefisi që vjen nga fshati? Nga një kushëri që flet gegnisht a toskërisht? Pse ia nxijmë jetën me “shshsh”?

Pse ia “shkatërrojmë” dhe kompleksojmë jetën njëri-tjetrit për “cene” që në një formë i kemi edhe vetë? Sepse besojmë në perfeksionin që dërromohemi për të ia impontar vetes. Do thuash ti, jo unë s’e bëj. As unë nuk e bëj jo.

“Sa mirë ke dalë dhe fustani të rrika aq bukur”, i shkruaj në mesazh një të njohurës sime. “Po çfarë thua moj Alma, se mezi e mbylla zinxhirin, po mbaj frymën se do plas me gjithë fustan”, më tha duke e ekzagjeruar pak sa për të qenë modeste e për të qeshur pak me një lloj falenderimi jo të mërzitshëm.

Ama kjo nuk është “sekuencë” e izoluar. Vajza e djem që modifikojmë pjata, fotografi, fytyra, ngjyra detesh… po thjesht mua më ka rastisur të kem të bëj me vajza pak më të sinqerta, ose ndoshta ia pranojmë më lehtë njëra-tjetrës.

Vdiqëm për pak perfeksion, vdiqëm. Ardhtë momenti që të mos kemi turp nga vetja dhe jeta jonë edhe e pabukur.

Ardhtë një brez prindërish që ta përdorin pak e më pak fjalën turp, duke e zhveshur nga pesha morale. Jo se kanë faj ata jo, po kushedi. Ndoshta duke na e thënë aq shumë, e kemi marrë në dozën e gabuar.j.j