Nga Alfred Peza/

Nuk është aspak surprizë e gjitha çfarë po ndodh me opozitën dhe protestën e saj këto tri ditë: Si më 11, ashtu edhe më 12 e 13 maj. Pra, si të shtunën, ashtu edhe të dielën e të hënë. Çudia e kësaj radhe që do zgjasi vetëm 72 orë, ka qenë jo vetëm e pritshme, por edhe shumë e qartë që në fillim. Ndaj, edhe fundi, dihet.

Për të gjithë ata që mund të jenë shqetësuar me të drejtë nga cilësia e dhunës, nga egërsia e goditjeve ndaj institucioneve e policisë dhe nga sasia e pazakontë e zjarrit që po hidhet pakursim, u duhet thënë që të qetësohen. Sepse sapo të mbarojë kjo shfaqje, nga e marta në mëngjes e tutje, nuk do të ndodhë asgjë. Asnjë protestë nuk do të ketë më, nga 14 maji në mëngjes e deri në protestën e radhës të Lulit e Monës, muajin e ardhshëm.

Nga buron kjo siguri?

Eshtë fare e thjeshtë: Kjo që po ndodh nuk është një protestë si të gjitha të tjerat dhe nuk kishte si të ishte e tillë, sepse nuk është drejtuar kundër qeverisë dhe Edi Ramës. Godinat e Kryeministrisë, Parlamentit dhe Drejtorisë së Policisë së Tiranës, nuk janë targeti. Nuk janë shkaku. Ato në këtë rast, thjeshtë janë sebepi. Janë pragu që ta dëgjojë dera.

Çfarë do të thotë kjo?

Protestat cilësisht të dhunshme të këtyre tri ditëve janë drejtuar kundër kryetarëve të opozitës në detyrë, kundër të gjithë aspirantëve të tjerë nga radhë e opozitës për të qenë kandidatë për Kryetar Bashkie dhe në listat e këshilltarëve, për zgjedhjet e 30 qershorit.

Po pse pikërisht këto 3 ditë?

Sepse ditën e hënë, në datë 13 maj 2019, në orën 00:00 në mesnatë përfundon afati ligjor e kushtetues, për regjistrimin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve të të gjithë kandidatëve që synojnë të drejtojnë 61 bashkitë e Shqipërisë, për 4 vitet e ardhshme.

Në kushtet kur pas djegies së mandateve nga grupet parlamentare të “Opozitës së Bashkuar”, salla e Parlamentit nuk mbeti bosh, por përkundrazi po mbushet ditë pas dite, javë pas jave dhe tani pas 3 muajsh janë në sallë 120 deputetë, përsëritja e këtij skenari i ka trembur për vdekje liderët e PD dhe LSI.

Ata kuptuan se nuk mundën dot që ta linin bosh sallën e Parlamentit, sepse njerëzit që ato kishin vendosur në pjesët jo fituese të listave zgjedhore, e kapën shansin politik që u vjen ndoshta veç një herë në jetë dhe ia dolën që të mbanin gjallë, opozitarizmin parlamentar.

Në këto kushte, PD dhe LSI, Basha dhe Kryemadhi kanë frikë se pavarësisht vendimit të tyre për të mos hyrë në zgjedhjet lokale, shumë Kryetar Bashkie të opozitës dhe shumë aspirantë të tjerë për një karrierë politike, regjistrimin deri të hënën mund ta kenë shansin e tyre të fundit në jetë, për të qenë pjesë e një gare të rëndësishme elektorale. E nën shembullin e deputetëve të rinj të opozitës që kanë mbushur sallën e Parlamentit, edhe ata janë bërë gati për tu regjistruar pranë KQZ, për të mbushur formularët dhe për të marë pjesë në këtë garë.

Pikërisht për tua djegur njëherë e përgjithmonë këtë shans, po përdoret gjithë ai zjarr i paparë ndonjëherë, si ky që po shihni në protestat e këtyre tri ditëve. Duke dashur që ti krijojnë idenë të vetëve, se është e kotë që të regjistroheni, sepse zgjedhjet nuk do të bëhen. Se ja edhe pak. Sa të hedhim ca flakadanë të tjerë dhe të djegim ca kazanë me plehra dhe Edi Rama do rrrëzohet. Luli e Mona do i zënë vendin. Do rikthehemi prapë në pushtet. Dhe pas kësaj, të gjithë do jetoni të lumtur, me nga një garuzhde të gjithë në brez.

Ah, çfarë verbimi dhe mjerimi politik, në kurriz të shqiptarëve dhe imazhit të Shqipërisë nëpër botë!