Gjatë një interviste për televizionin “6 Plus 1 Vlora”, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri është pyetur edhe në lidhje me përgjimet e publikuara gjatë ditëve të fundit në media me objekt zgjedhjet e pjesshme lokale të Dibrës, mbajtur në 11 Shtator 2016. Gjiknuri ka dhënë detaje për secilin prej pretendimeve të ngritura, duke këmbëngulur se në bisedat e tij nuk ka asgjë antiligjore dhe se rezultati i zgjedhjeve të vitit 2017 në të njëjtin territor, ka rikonfirmuar atë të vitit 2016, madje duke e thelluar nga 4100 në 7300 vota. Sipas tij, nëse fitorja me 4 mijë vota kur ai ishte drejtues politik në Qarkun Dibër ishte një termet, rezulton se një vit më pas kur ai nuk ka qenë fare në këtë qark të jetë shndërruar në cunam politik. Më poshtë gjeni një pjesë nga intervista e dhënë prej deputetit Gjiknuri.

Pyetja: Ka disa përgjime z.Gjiknuri që kanë dalë sëfundi dhe janë publikuar edhe në media. Është dosja 339 e Durrësit por edhe dosja 184 e Dibrës, aty ku rezultoni dhe ju të keni dalë në këto përgjime. Cili është komenti juaj?

D.Gjiknuri: Do duhet të ju rikthej pak në kontekstin se si janë zhvilluar ngjarjet, duke u rikthyer në kohë. Natyrshëm do jap edhe shpjegimet për ato që kanë dalë dhe është hera e parë që flas në media në lidhje me këtë çështje. Nga pikëpamja ligjore, këto janë copëza përgjimesh, nuk e di autencitetin e një pjese të këtyre përgjimeve por mund të ndalem dhe në ndonjë prej tyre. Unë po flas për dosjen 184 meqenëse dhe interesi i shikuesve tuaj mund të jetë aty. Gjeja e parë që duhet thënë është se përse filloi kjo çështje? Filloi vetëm me një kallëzim të Partisë Demokratike. U bë një kallëzim tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, që në fakt nuk e ka në kompetencë shitblerjen e votave. Po të dëgjoni dhe përgjigjet e Kryeprokurores Arta Marku në Komisionin e Ligjeve, ajo tha se kjo çështje është regjistruar për korrupsion dhe jo për shitblerje votash. Pse u bë kjo? Cili ishte qëllimi? Qëllimi ishte që nëpërmjet Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku kishte seksione të mirëfillta të Partisë Demokratike, të viheshin në përgjim një numër i madh njerëzish, një shtab i tërë politik. Janë 40 e ca numra që janë vënë në përgjim pa asnjë lloj kriteri, gjithë pjesa e Partisë Socialiste, gjithë njerëzit që merreshin me fushatën.

Pse kishte rëndësi për ata? Dibra qe një test i një aleance të re politike që po krijohej midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Aty ndodhi një ngjarje e paparashikuar. Sapo u delegova unë si drejtues politik në Dibër, ndodhi ajo që tanimë dihet me ish-kryebashkiakun Shukri Xhelili dhe shkuam drejt zgjedhjeve të parakohshme lokale. Pse qe test për Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim? Ata donin humbjen e Bashkisë së Peshkopisë nga Partia Socialiste. Mbase njerëzit i harrojnë por duhet tua kujtojmë. Ata instaluan aty 40 deputetë, gjithë Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike me në krye Lulzim Bashën. Për të intimiduar njerëzit përdorën dhe këtë kallëzimin e Partisë Demokratike duke vënë në përgjim një rrjet njerëzish. Nuk kishin asnjë të dhënë apo provë që ka shitblerje votash por përgjuan njerëzit si në një ekspeditë peshkimi duke hedhur rrjetën njëherë dhe në një prokurori madje që nuk i takon fare të merret me këtë lloj vepre.

Meqenëse këta njerëz kanë qenë gjithë në përgjim dhe paska patur indicie, prokurorët kishin mundësi të vepronin në flagrancë. Nëse ti përgjoje X me Y, ti kishe mundësinë që pas asaj telefonate të vërtetoje dhe telefonatën tjetër me kë e bënte ai, madje të çoje dhe grupet operacionale speciale në terren të Policisë Gjyqësore dhe ti arrestoje këta njerëz në flagrancë. Çfarë bënë këta? Nuk nxorën asgjë, i mbajtën ato dosje aty dhe nuk bënë asnjë lloj veprimi. Vetëm pas dy vitesh janë thërritur për të dhënë shpjegime në prokurori disa prej emrave që kanë dalë aty. Pra, pas dy vitesh kur po mbaronin afatet e hetimit dhe ata duhet të bënin diçka. Del qartë se këto përgjime u përdorën vetëm për shantazh politik nga Partia Demokratike. Në këtë rast jo përmes mediave të saj por duke ja dhënë një medie ndërkombëtare. Çfarë ka dalë tek përgjimet? Nëse ti bën përgjim të bisedave private të njerëzve mund të dalë dhe ndonjë fjalor i papërshtatshëm por në fund të fundit biseda është private. Politikani gjykohet nga veprimet që bën në publik, jo ato që thotë në bisedat e tij private. U përdor këtu dhe një shkallë tjetër e denigrimit të njerëzve, e papërshtatshme dhe e paparë në një shtet normal demokratik.

Pyetja: Z.Gjiknuri, në një prej telefonatave thuhet “termet, termet”. Çfarë keni dashur të thoni me këtë shprehje?

D.Gjiknuri: Termet ishte ngjarja politike me përmasa të mëdha siç ishte fitorja shumë e rëndësishme për Bashkinë Dibër, për mua si politikan por edhe për Partinë Socialiste. Unë po flisja me një përfaqësues partie aleate që ishte faktor i rëndësishëm atje. Ne kishim një muaj që ishim nën sulmin e Partisë Demokratike. Deputetët e PD erdhën me hordhi aty nga gjithë Shqipëria duke dhunuar njerëzit tanë. Janë rrahur komisioner, policia ka dhe denoncimet. Makina të funksionarëve të Partisë Demokratike që nuk i ndalonin policisë. U godit administratori i një komune në krye të detyrës, u rrah nga banda të Partisë Demokratike. Asnjë nuk e thotë këtë fakt por merren me shprehjen “çunat problematik” që paskam thënë unë. Në fund të fundit çfarë ishin ata? Disa militant të Partisë Socialiste të cilët ishin më të gatshëm dhe mund të përballeshin me një sulm fizik.

Pyetja: Z.Gjiknuri, nuk është se ishin problematik me drejtësinë këta çunat?

D.Gjiknuri: Çfarë problemesh kishin ata me drejtësinë?! Çfarë bënë ata? Goditën njeri? Kërcënuan njeri? A thoshte atëherë Partia Demokratike kemi kapur në flagrancë duke shpërndarë para? Ku janë këta? Pra, trupat e Partisë Demokratike kapnin gjoja njerëz që ndanin para.

Pyetja: Pse i mbanit çunat problematik me vete? Çfarë ishin ata që të sqarohet dhe opinion?

D.Gjiknuri: Opinioni nuk ka nevojë të sqarohet për këtë se e kanë të qartë të gjithë ata që janë marrë ndonjëherë me zgjedhje. Kur ti vjen me njerëz dhe kërkon të rrahësh përfaqësuesit e Partisë Socialiste edhe ne do të kemi disa njerëz që do rrinë për tu mbrojtur aty.

Pyetja: Ishin problematik se ishin vetëm të fortë fizikisht?

D.Gjiknuri: Ka tipa njerëzish që janë më të prirur për ta përballuar konfliktin fizik se sa disa të tjerë. Kaq! Në fund të fundit ne nuk përdorëm asnjë mjet antiligjor dhe nuk doli që njerëzit tanë të kishin rrahur njeri apo të kishin krijuar ndonjë incident. Një ditë përpara në Maqellarë, 40 veta të Partisë Demokratike rrahën nipin e shefit të shtabit aty, rrethuan qëndrën e Maqellarës. Të nesërmen, njerëzit tanë ishin të frikësuar përfshirë një pjesë të komisionerëve. Kërkonin vëzhgues dhe kërkonin njerëz që ti kishin afër nëse do shkonte dikur ti kërcënonte. Kjo është e vërteta. Nuk kam asnjë merak dhe le të thonë çfarë të duan. Ne nuk ishim aty që ti linim territorin rrugaçëve të Partisë Demokratike. Ne, ato qendra do ti mbronim edhe me njerëzit tanë patjetër dhe ashtu ndodhi. I mbrojtëm dhe procesi vajti shumë në rregull.

Pyetja: A ishte normale z.Gjiknuri një fitore me mbi 4 mijë vota?

D.Gjiknuri: Rezultari qe i thellë, mbi 4100 vota. Ka disa të dhëna shumë interesante po ti shikoni. Kandidati i Partisë Socialiste qe një kandidat shumë i mirë, një mjek që e respektonin të majtë dhe të djathtë. PD çfarë solli? Një deputet të ricikluar dhe që i kishte dalë boja siç e thotë populli. Një ditë përpara se të caktonin kandidatin akuzuan kryetarin e tyre të PD lokale që është i shitur. E sulmuan atë dhe e bënë armik pasi kështu janë njerëzit, po ta sulmosh publikisht që je i shitur tek Partia Socialiste ai me njerëzit e tij do punojnë kundër. 4 mijë vota avantazh si u fituan? Çfarë doli nga përgjimet? Me fjalën termet apo me fjalën çuna problematik u bënë 4 mijë vota! Si u blekan 4-5 mijë vota? Të blesh 4-5 mijë vota duhet të nxjerrësh shaptilografin aty në rrugë dhe të shpërndash para, të votokan dhe haptazi njerëzit.

Po të shikoni rezultatet e gjitha qendrave të votimit ka uniformitet. Ne kemi humbur vetëm në një njësi administrative dhe kemi dalë barazim në një njësi administrative tjetër ku kishte influencë të fortë Xhelal Mziu. Se dhe tek përgjimet siç del, unë interesohem në telefon për transportin e votuesve por ndërkohë Xhelal Mziu kishte sjellë 400 persona nga Kamza për votues aty. Akuzat e PD janë se u blenë vota në zonat e fshatrave, por mjafton të shikoni rezultatin e qytetit të Peshkopisë. I njëjti trend dhe e njëjta thellësi rezultati si e gjithë pjesa tjetër ku mund të pretendojnë se ka patur abuzime. Po mirë mo, duhet tua bëni një pyetje këtyre kriminologëve të Partisë Demokratike. Duhet  tu thoni po mirë e marrim të mirëqenë se e paska bërë në 2016 Damian Gjiknuri termetin me Ymer Lalën. Ika unë nga Dibra dhe erdha në Vlorë në 2016. Të dalë ndonjë dhe të thotë se ne kemi blerë vota apo nuk kemi merituar fitoren. Edhe sondazhet për Vlorën dolën shumë të sakta në raport me ato vota që ne i morëm nga populli.

Po në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 e dini sa ka dalë rezultati në territorin e Bashkisë Dibër?! Mjafton të marrësh PS-PDIU dhe PD-LSI do shohësh se nga 4100 që ishte, avantazhi i të majtës ka vajtur 7300 vota. Pra, është thelluar rezultati. Po këtu kush i vodhi?! Damiani prapë?! Se unë nuk jam fare në atë qark që prej 2016. Këto rezultate tregojnë një degradim të strukturave të Partisë Demokratike. Rezultat plotësisht i merituar e madje që është thelluar në disfavor të Partisë Demokratike. Nëse në 2016 ishte termet me 4100 vota, atëherë në 2017 u bë cunam sepse vajti diferenca 7 mijë vota. Del qartë farsa e ngritur kot me disa copëza përgjimesh. Aty mund të ketë dhe ndonjë gjuhë të papërshtatshme. Mund të ketë patur dhe ndonjë tentativë sepse ka patur natyrshëm dhe denoncime për shitblerje votash. Ka patur edhe më përpara dhe nuk kuptoj pse i ngritën tani këto gjëra. Në çdo palë zgjedhje ka të tillë që thonë kam kaq vota, më jep ndonjë lek. Këto i dinë të gjithë shqiptarët, nuk ka asgjë të re. Madje ka parti që kanë mbijetuar me blerje votash siç është LSI, një parti që vetëm me blerje dhe premtime për vende pune ka mbijetuar. E gjithë kjo situatë është gjë e stisur vetëm për të bërë pis dhe për të justifikuar kauzën e Partisë Demokratike.

Pyetja: A ndjeheni përgjegjës ju për ndonjë gjë nga këto përgjime të publikuara?

D.Gjiknuri: Personalisht nuk kam aty asgjë antiligjore, përveçse ndonjë fjalë të papërshtatshme për të cilën i kërkoj ndjesë publikut që e dëgjon. Në fund të fundit, nuk kam thënë asgjë të tillë në publik por duke bashkëbiseduar me të tjerë në telefon. Nuk ka asnjë veprim antiligjor të dalë dhe po të kishte, prokuroria vet do kishte vepruar me kohë. Rezultatet elektorale të 2017, jo vetëm konfirmojnë rezultatet e 2016 por janë më të thelluara. Do të thotë se këtu kemi të bëjmë me një trend politik të vazhdueshëm bjerrjeje të Partisë Demokratike, rritje të peshës së Partisë Socialiste dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ai Ymer Lala që përmendin këta, mund të ketë patur ndonjë dënim në të kaluarën por unë nuk dua të hy në këtë çështje. Ai njeri unë nuk di të jetë në kërkim, nuk e di të akuzohet për ndonjë vepër sepse do ta kishin arrestuar pasi është person publik. Madje vajza e tij sot është deputete në Dibër. Këtu kemi të bëjmë me një faktor politik. Unë për vota isha në Dibër, nuk isha Ministër i Energjetikës së Dibrës. Unë kisha vajtur të drejtoja fushatën elektorale. Do të flisja dhe me PDIU që e kisha aleatin kryesor dhe me gjithë të tjerët. Pra, këtu nuk ka asgjë sekrete. PDIU-ja po ta kujtoni, në atë kohë ka qenë aleate me Partinë Demokratike por për interesa lokale bënë aleancë me Partinë Socialiste. Aleancat lokale njihen në zgjedhje vendore. Lëvizja Socialiste për Integrim që ishte në koalicion me ne, u rreshtua në krah të Partisë Demokratike kundër kandidatit tonë.

Është krejt normale që edhe me Ymer Lalën do të flisja se këtu nuk ka asgjë të keqe. Ai ishte kordinator dhe drejtues politik i një partie aleate, faktor me vota të caktuara dhe sot vajza e tij është deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Hidhen emra sikur çfarë ka ndodhur. Në momentin e parë kur i dëgjon thua çfarë ka ndodhur, kur i dëgjon me qetësi sheh se nuk ka asgjë antiligjore aty. Mund të ketë si në çdo palë zgjedhje nuanca për ndonjë përdorim administrate. Ato le të hetohen plotësisht. Ato kanë ndodhur gjithmonë dhe kanë ndodhur vitet e shkuara shumë rëndë. Ju e mbani mend presionin që ushtronte Partia Demokratike nëpër fushata ndaj punonjësve të administratës. Nuk mund të thuash do ti vë zjarrin vendit dhe nuk hyj në zgjedhje se është dosja 184 dhe ke tre vjet me këtë dosjen që e mban aty. Kur del dosja përfundon me ca anektoda e barcaleta. Dakord, u bënë meme dhe u kënaqën këta që bëjnë meme. Po pse ky është krimi elektoral?! Qartazi duket se kemi të bëjmë me një skenar të ndyrë për të bërë pis Shqipërinë në dyert e Europës duke përdorur dhe media ndërkombëtare. Dosjen e ka prokuroria, le ta hetojë dhe ti shkojë procesit deri në fund. Me ato çka janë publikuar dhe i kanë parë gjithë shqiptarët, nuk ka asgjë që mund të më shqetësojë mua personalisht apo Partinë Socialiste se ka kryer ndonjë krim elektoral.