Nga Zylyftar Hoxha
Shkolla Normale e Elbasanit, e krijuar më dhjetor të vitit 1909, është shkolla e parë e arsimit të lartë në gjuhën shqipe, e krijuar në bazë të vendimeve të Kongresit të Elbasanit, i cili ishte mbajtur tre muaj më parë, më 2-9 shtator 1909. Për herë të parë, më 1 dhjetor 1909, me 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria ulen në bankat e kësaj shkolle. Gjysma ishin nga Kosova e Çamëria. Deri në prag të çlirimit dy herë është tentuar të shpërngulin shkollën Normale nga Elbasani, por falë popullit arsimdashës të Elbasanit vendimi nuk bëhet realitet. Si e para shkollë e mesme kombëtare në gjuhën shqipe u bë vatër e përgatitjes së mësuesve shqiptarë në gjuhën shqipe. Drejtori i parë ka qenë Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Hafiz Ibrahim Dalliu, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Salih Çeka, Kristo Dako, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Kolë Prela, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjaku e të tjerë.
Me rastin e hapjes së Shkollës, para nxënësve, arsimtarëve dhe popullit të tubuar, Gurakuqi në fjalimin e tij, ndër të tjera kishte theksuar: “ Shqipëria u lëkund e tëra nga zëri i Shkollës Normale; atdhetarët nuk kursyen ndihmat e veta të begata, ndërsa djemtë tanë rrodhën nga të gjitha viset e Shqipërisë (kjo nënkuptonte të gjitha trojet shqiptare) e u derdhën këtu në Elbasan…Jo vetëm nga Toskëria që ka qenë gjithmonë e para ndër tregimet kombëtare e ndër luftërat e gjuhës, por më fort nga Gegëria e Sipërme, nga ajo Kosovë sa fisnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili na rroftë përjetë, na erdhën mjaft nxënës sa që mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka asnjë kënd të Shqipërisë që të mos të ketë këtu brënda përfaqësuesin e vet”.
Pas Gurakuqit, drejtorë të Normales ishin edhe Aleksandër Xhuvani (emrin e të cilit e mbanë sot Universiteti i Elbasanit), pastaj Sali Ceka (nga Çamëria), Ahmet Gashi (nga Kosova), Vasil Komani, etj, të cilët ishin edhe profesorë të asaj Shkolle.
Në tetor 1923, pranë shkollës Normale hapet shkolla Ushtrimore, si nevojë e aftësimit profesional të nxënësve kandidatë dhe dalja e maturantëve të parë më 1924, janë ngjarjet më të shënuara në fillimet e historisë së kësaj shkolle. Drejtori i parë i shkollës Ushtrimore ka qenë Sulejman Harri me mësues Fadil Gurmani, Ahmet Duhanxhiu, Karl Ljarja, Ibrahim Berrania, Shaban Arra, Gani Daiu, Skënder Sejdini, Sotir Papahristo e të tjerë, që me mendim kohor didaktik sollën përvojën e shkollave austriake, gjermane, zvicerane e të tjera shkolla perëndimore.
Normalja e Elbasanit ka një histori interesante, por në vitin 1934, që përkonte me kremtimin e 25 – vjetorit të themelimit të shkollës së parë të mesme shqiptare, shkolla u dogj dhe bashkë me të edhe dokumentacioni i vyer. Më 1959, me ekspozitën e punëve të pavarura të nxënësve që u hap me rastin e 50-vjetorit të shkollës, rrethi i historisë me mësuesin Shyqyri Demiri krijuan një kënd muzeal me fotografi e kujtime nga jeta në shkollë. Më 1969 u bë ekspozimi kronologjik i fundit arkivor të grumbulluar posaçërisht për muze. Më 1979, në kuadrin e 70- vjetorit të shkollës me porosi nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, u ngarkua një komision në shkollë për ngritjen e muzeut në shkollë, që solli mjaft gjëra me vlerë.
Në vitin 1993 u rikonceptua ringritja e muzeut të ri të shkollës për të dhënë me vërtetësi vlerat dhe kontributin e ish-mësuesve dhe nxënësve, jashtë politizimeve. Kjo u bë e mundshme edhe nga bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe institucionet e tjera studimore kombëtare, si dhe figura, personalitete, kryesisht ish- normalistë. Muzeu u vendos në katin e dytë të shkollës. Ai ka ka një fond prej mbi 5000 dokumentesh origjinale e fotokopje, të marra nga AQSH dhe të institucioneve të tjera studimore. Janë edhe rreth 500 portrete, përfaqësues të brezave normalistë. Në vitrina tërheqin vëmendjen dhjetëra dosje dokumentesh, albumesh fotografikë, relike të shumëllojshme, botime të së kaluarës dhe të së tashmes, revista, regjistra, portokolle të këshillit pedagogjik, kujtime të ish-normalistëve.
1 Dhjetori, dita e hapjes së Shkollës Normale të Elbasanit, është një ditë me rëndësi në kalendarin e të kaluarës dhe një faqe e ndritur e arsimit dhe kulturës sonë, një shembull përpjekjeje, sakrificash, betejash e shtrëngatash për ruajtjen e emrit, identitetit, gjuhës, arsimit, kulturës, traditës dhe trojeve tona. Shumë ish-nxënës të asaj Shkolle luftuan edhe me armë dhe ranë dëshmorë në altarin e lirisë së atdheut.