Premiera e shfaqjes “Norm dhe Ahmed” u mirëprit mbrëmjen e djeshme me duartrokitje dhe emocione nga publiku në skenën e ”arTurbinës”.

”Norm dhe Ahmed” është një vepër e shkruar për dhunën dhe urrejtjen raciale nga shqiptaro-australiani Alex Buzo. Regjisori Armand Bora vuri në skenë shfaqjen nën interpretimin e aktorëve Gert Ferra, Gladiola Harizaj dhe Lulzim Zeqja.

Vepra e shkruar nga autori më 1968 i vendos ngjarjet në Sidnej të Australisë. Një veteran i luftës, Norm, ka një takim me një student pakistanez Ahmed, në një stacion autobusi gjatë një nate. Të dy persona të vetmuar, njëri emigrant dhe tjetri australian, dhe një bisedë ku zhvillohet prezantimi i bindjeve dhe i parimeve të tyre.

Kjo shfaqje solli për publikun një temë aktuale sepse dhe sot ka konflikte të mëdha. Kjo vepër është një nga tekstet që ka bërë revolucion në shoqërinë australiane, sepse ka hapur debate dhe diskutime, që shoqëria atëherë i mbante të mbyllura.

”Norm dhe Ahmed” është pjesë e sezonit artistik të Teatrit Kombëtar dhe do të jetë në skenën e “arTurbina” dhe në mbrëmjet e 6 dhe 7 prillit.