Nga Ian Goldin, Robert Muggah

Kanë kaluar 30 vjet që nga rënia e Murit të Berlinit dhe pavarësisht progresit të rëndësishëm drejt përmirësimit të jetëgjatësisë dhe rritjes së të ardhurave në mbarë botën, ndarjet brenda dhe ndërmjet shoqërive po thellohen. Pa një paradigmë të re për menaxhimin e globalizmit, fragmentimi dhe dëshpërimi politik do të bëhen normaliteti i ri.

Oksford – Le të shpresojmë që viti 2019 të jetë viti kur kthehet rrjedha e historisë. Në vitin 2018, ndarjet brenda dhe ndërmjet vendeve vazhduan të thellohen. Dhe ndërsa tensionet gjeopolitike dhe tribalizmi politik kanë transformuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën kombëtare, teknologjitë e reja po i japin fund supozimeve të gjata rreth sigurisë, politikës dhe ekonomisë. Çështjet më komplekse janë ndërvarësia në rritje e shoqërive tona. Ne jemi duke iu nënshtruar gjithnjë e më shumë forcave përtej kontrollit të një vendi, qyteti apo individi të vetëm, aq më pak kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike.

Sa ndryshim bëjnë tre dekada. Në vitin 1989, rënia e bllokut sovjetik dukej se ndillte një triumf të parimeve dhe vlerave liberal-demokratike. Zhvillimi i World Wide Web atë vit premtoi një epokë të re të lulëzimit njerëzor dhe bashkëpunimit global. Që në vitet 2000 gëluan frazat si “vdekja e distancës” dhe “bota është e sheshtë”.

Megjithatë, larg nga sheshimi i botës, globalizmi e ka bërë atë më malor dhe të pabarabartë. Më shumë se kurrë, kodi postar i njeriut përcakton perspektivën, jetëgjatësinë dhe fatin e dikujt. Në vend që të zëvendësojnë idealet kombëtare me vlera të përbashkëta, globalizmi ka çuar drejt një konkurrence të ashpër, në rënien e shteteve të mirëqenies sociale dhe në brejtjen e institucioneve ndërkombëtare. Edhe pse teknikisht ka më shumë demokraci sot sesa në vitin 1989, shumë po bëhen më joliberale.

Nuk është çudi që mbështetja e publikut për globalizmin është dobësuar. Sulmet e 11 shtatorit 2001 dhe “lufta ndaj terrorzmit” prej 5.6 trilionë dollarësh sigurisht që nuk ndihmuan. As kriza financiare e vitit 2008, e cila ekspozoi paaftësinë e ekspertëve dhe institucioneve për të menaxhuar ndërvarësinë dhe ndryshimet teknologjike. Një ndarje në rritje mes elitave dhe të gjithë atyre që janë “lënë pas” ka helmuar politikën për një brez.

Megjithatë, zhgënjimi me globalizmin është kryesisht i kufizuar në vendet e Amerikës së Veriut dhe në vendet e Evropës Perëndimore. Në fund të fundit, pasuritë e fuqive në zhvillim në Azinë Lindore dhe Juglindore janë rritur, dhe shumica e njerëzve në mbarë botën janë objektivisht më mirë në tërësi krahasuar me atë që ishin 30 vjet më parë. Jashtë Perëndimit, të ardhurat mesatare që nga rënia e Murit të Berlinit janë dyfishuar – dhe trefishuar në Kinë. Jetëgjatësia në shumë vende në zhvillim është rritur me 15 vjet dhe tre miliardë njerëz më shumë në mbarë botën kanë mësuar të lexojnë dhe të shkruajnë.

Por nuk ka asnjë garanci se ky “Iluminizëm i Ri”, siç e quan Steven Pinker nga Universiteti i Harvardit, do të vazhdojë të japë përparim. Iluminizmi i shekujve të shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë erdhi pas Rilindjes, e cila ishte një periudhë jo vetëm e revolucionit shkencor dhe artistik, por edhe e rritjes së intolerancës, luftës fetare dhe persekutimit të shkencëtarëve dhe intelektualëve.

Dhuna reaksionare gjatë dhe pas Rilindjes i detyrohej shumë dështimit të elitës për të menaxhuar ndryshimet e shpejta dhe rritjen e pabarazive të shkaktuara nga revolucioni i printit. Elitat e sotme duhet të marrin shënime. Pasojat spektakolare nga pushtimi i Irakut i udhëhequr nga SHBA dhe kriza financiare e vitit 2008 dëmtuan thellësisht besimin e publikut tek autoritetet dhe ekspertët. Ajo që bashkon populizmin e krahut të djathtë dhe të majtë është ideja se roja e vjetër i ka zhgënjyer njerëzit ndërsa vetë është duke u futur në një mbështjellë privilegji.

Ata kanë të drejtë në një pikë. Politikat difektoze për të promovuar globalizmin na kanë zhgënjyer dhe kanë kontribuar në rritjen e pabarazisë. Dhe tani, inteligjenca artificiale dhe automatizimi kërcënojnë të zëvendësojnë vendet e punës rutinë dhe të theksojnë ndarjet sociale. A munden udhëheqësit politikë dhe qytetarët të mbledhin vullnetin për të trajtuar rreziqet e përbashkëta, apo jemi drej një fragmentimi të mëtejshëm? Shumë do të varet nga hapat që do të ndërmerren në vitin 2019. Tani më shumë se kurrë më parë, duhet të luftojmë me nxitësit e përshpejtuar dhe të ndërvarur të ndryshimit.

Për këtë qëllim, politikëbërësit duhet të ndërmarrin hapa për të mbrojtur shtresën më vulnerabël. Rrjetat e mbrojtjes sociale janë duke u shkurtuar pikërisht kur njerëzit kanë nevojë më së shumti për to. Pasi kriza financiare shteroi burimet e qeverisë dhe prodhoi borxhe masive, qeveritë si ajo e SHBA-ve i kanë përkeqësuar gjërat duke ulur taksat.

Më gjerësisht, të gjithë ne duhet të përveshim mëngët dhe të kuptojmë siç duhet globalizmin. Kjo nënkupton braktisjen e paradigmës së vjetruar të shekullit të njëzetë që ndan të gjithë politikën në të majtë dhe të djathtë, në socializëm dhe kapitalizëm. Politika e vitit 2019 është e bazuar në vlera, prandaj partitë tradicionale politike janë duke u sfiduar nga partitë që u bëjnë thirrje ndjenjave nacionaliste dhe fantazive nostalgjike.

Revolucioni politik i të tashmës deri më sot është karakterizuar nga zemërimi dhe frustrimi. Por këto ndjenja mund dhe duhet të shfrytëzohen për t’i shërbyer qëllimit të ndryshimeve konstruktive. Për të arritur një globalizëm gjithëpërfshirës, ne duhet të adresojmë pabarazinë në rritje, të përqafojmë diversitetin dhe të shpëtojmë bashkëpunimin ndërkombëtar nga spektri i njëanshmërisë.

Risqet nuk mund të jenë më të larta se ato në vitin 2019. Kur politika nxitet nga ekstremizmi, algoritmet, lajmet e rreme dhe manipulimi i huaj, vetë demokracia kërcënohet. Pa angazhim më aktiv të politikëbërësve dhe udhëheqësve politikë, pak shpresë mund të ketë për të ardhmen. Ritmi i përshpejtuar i ndryshimit, së bashku me thellimin e ndërvarësisë ndërkombëtare, e bën më të vështirë e jo më të lehtë gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

Është joshëse të përpiqesh të ndalosh kohën dhe të tërhiqesh nga zgjedhjet e vështira. Por ndryshimet që po ndodhin do të ndikojnë te të gjithë ne, pavarësisht nëse marrim pjesë në bisedë. E vetmja rrugë përpara, pra, është të përmirësojmë të lexuarin tonë dhe të angazhohemi me ide komplekse. Të bësh të kundërtën dhe të luash viktimën do të thotë të ftosh katastrofën. Vetëm duke i dhënë vetë formë të ardhmes tonë, do ta kemi më pak frikë atë. Nëse njerëzit e guximshëm nuk veprojnë, harku i historisë nuk do të përkulet drejt drejtësisë apo rezultateve të përmirësuara.

Tre dekada pas rënies së Murit të Berlinit, përsëri jemi në udhëkryq, dhe një betejë e ideve po ndizet. Muret e reja që po ndërtohen brenda dhe ndërmjet shoqërive përbëjnë një kërcënim të madh për të ardhmen tonë kolektive. Ky është viti për të filluar që t’i rrëzojmë. Marrë nga Project Syndicate-Shqipëroi Kebriona Veliaj