Pas disa kontratave të rëndësishme të nënshkruara me investitorët e brandeve më të njohura të hoteleve me 5 yje në botë, që kanë pranuar të investojnë në Shqipëri, një tjetër hotel me 5 yje do të ndërtohet së shpejti në bregdetin jonian, falë marrëveshjes së nënshkruar mes grupit Concord dhe Alpitour, në Romë, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Shqipëria në vitin 2018 pranoi 6 milionë turistë, tha Klosi, duke shtuar se “sfida jonë e madhe për të arritur 10 milionë turistë do të realizohet vetëm nëse kemi investime të tilla”.

“Ne synojmë që këto marrëdhënie me këta operatorë të fuqishëm turistikë të transformojnë Shqipërinë në një destinacion turistik dhe transformimi nuk mund të ndodhë në qoftë se nuk ka investitorë si Dulaku, të cilët investojnë në raport të drejtpërdrejt në një hotel me 5 yje, duke e shndërruar Shqipërinë në një vend të frekuentuar nga shumë më tepër turistë sesa një vit më parë”, tha Klosi.

Kjo firmosje, tha ai, shënon një nga 15 kontratat që ne kemi në tavolinë tashmë me 15 hotele me 5 yje, që e transformojnë Shqipërinë në një destinacion europian”.

Klosi gjithashtu theksoi se në bashkëpunim me Alpitour kanë shkëmbyer ide për të ndërtuar një strategji të përbashkët të promovimit të Shqipërisë turistike, e cila do të klikohet nga miliona klikues të rrjetit Alpi Tour, me mbi 3 mijë agjenci turistike në të gjithë Europën dhe më gjerë.
“Grupi Alpitour ka vendosur të investojë në Shqipëri në bashkëpunim me grupin Concord. Mendojmë që Shqipëria ka bërë ndryshime të rëndësishme, por një pjesë e Europës nuk është njohur ende me to, duke nisur nga infrastruktura, investimet në Vlorë, në aeroportin e Tiranës, etj. Është një vend që ja vlen për t’u zbuluar. Ne kemi sjellë turistët e parë në Shqipëri, por me këtë projekt jemi besimplotë që do të sjellim edhe më shumë turistë”, tha Gabriele Burgio, president i Alpitour.

Për investitorin Artan Dulaku, realizimi i kësaj kontrate do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve që vijnë në Shqipëri.

“Ishte kënaqësi për ne që pas një pune të gjatë dhe intensive arritëm më së fundi në një konkluzion me kompaninë më të madhe në tregun italian të turizmit dhe të hotelerisë, Alpitour, për të finalizuar ndërtimin e një hoteli në zonën e Palasës, pjesë e zinxhirit të hoteleve që ne si kompani kemi vendosur të ndërtojmë në bregdetin shqiptar. Dua të falënderoj këtu edhe asistencën që ministri i Turizmit dhe Mjedisit na ka dhënë gjatë gjithë kohës për ta materializuar dhe finalizuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë kontratë”, u shpreh Dulaku.

Hoteli i ri me 5 yje, do të ndërtohet në jug të vendit, në Palasë, me një sipërfaqe prej 2000 metra katrorë dhe mbi 150 dhoma.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here