Reali i Madridit e mbyll në mënyrën më të shëmtuar të mundshme sezonin 2018/2019, që ishte tërësisht për t’u harruar për të.

Skuadra madrilene u mund në “Santiago Bernabeu” në javën e fundit të La Ligës nga skuadra e Real Betis me rezultatin 2-0, në një ndeshje që ishte e fundit edhe në karrierën e arbitrit Undiano Mallenco.

Për Betisin kjo fitore ishte historike pasi nuk kishte fituar kurrë më parë në shtëpinë e Realit të Madridit, që ndër të tjerat u detyrua të dëgjojë edhe fërshëllimat e tifozëve të tij në shkallët e stadiumit, që nuk e fshehën aspak pakënaqësinë për sezonin shumë zhgënjyes të zhvilluar nga “Los Blancos”.

Të dy golat për Real Betis u shënuan në pjesën e dytë të sfidës. Loren Moron ishte ai që zhbllokoi rezultatin për skuadrën andaluziane, ndërkohë që goditja e dytë që ishte edhe më e fortë erdhi nga një ish lojtar i Realit të Madridit, Jese Rodriguez që në momentin e hyrjes në fushën e lojës u duartrokit nga publiku.

Fërshëllima e fundit e Mallencos iu dha fund vuajtjeve të Realit të Madridit që e nisën keq sezonin, për ta mbyllur akoma më keq e duke vendosur edhe një rekord të ri negativ. Skuadra madrilene e mbylli La Ligën me një disavantazh prej më shumë se 17 pikësh kundrejt kryesuesve të Barcelonës.