Nga Skënder Minxhozi/

Ka një konfuzion të lexueshëm prej së largu këto kohë, në atë se çfarë opozita duhet të bëjë me 30 qershorin. Lulzim Basha vazhdon ta shesë si “fitoren e 85%-shit” atë që ndodhi me zgjedhjet lokale, por njëherësh kampi i tij politik e ka të vështirë ta mbulojë kaosin në të cilin është përfshirë, në lidhje me perspektivën e afërt. Nëse këto ditë ju bie rasti të dëgjoni deklarata, intervista apo replika debati ku marrin pjesë zyrtarët e opozitës, do të vini re pa vështirësi se nuk ka një linjë unitare në qëndrimin ndaj qeverisë, protestave dhe dialogut e kompromisit me palën tjetër.

Në rreth pesë muaj nga nisja e aksionit të diegies së mandateve, opozita ka dështuar në të gjitha objektivat madhore të cilat i dhanë jetë këtij projekti politik të skajshëm: qeveria nuk ra, zgjedhjet lokale u mbajtën, 61 bashki u dorëzuan tek kundërshtari pa luftë dhe ndërkohë u krijua një klimë lufte jo vetëm me Ramën e partinë e tij, por edhe me ndërkombëtarët. Ky është gjithçka, përveçse një bilanc fitoreje. Ajo që duhet të ishte stuhia perfekte që do të lëkundte e rrëzonte pushtetin e të majtës, është kthyer në bumerangun më të pamëshirshëm për vetë opozitën.

Një qeveri e palumtur, me xhiro të ngadalësuara dhe pa ide për rrugën se ku po shkon, është gjithsesi më e sigurt në pozitën e saj, pasi ndodhet brenda mureve të institucioneve. Përballë saj, opozita ndodhet sot në rrugë dhe e zhveshur nga të gjitha pushtetet që kishte vetëm pesë muaj më parë, ndërkohë që deputetët e listave rezervë kanë marrë e rrogat e para, si dhe kanë mësuar tashmë oratorinë parlametare, kurse bashkitë-bastion si Kamza e Shkodra përgatiten të dorëzojnë çelësat tek socialistët. Ky është një mazokizëm kolektiv, në emër të diçkaje që Basha, Kryemadhi e Berisha e kanë gjithnjë e më të vështirë t’ja shpjegojnë atyre që kanë rreth vetes.

Dilema më e afërt janë protestat. Të vijojnë apo jo? Të kthehen tek dhuna, apo të qëndrojnë në korsinë e paqes, trandafilave e tollumbaceve? Mbrëmë një eksponent i opozitës thoshte në një ekran televiziv se gjatë muajve të mbetur të vapës e pushimeve, PD ka vendosur të vijojë punën për t’u organizuar së brendshmi, që të jetë e gatshme në shtator. Ai shtonte se në këtë moment të vitit është e vështirë të mobilizosh përkrahësit për të dalë në protesta masive. Një deklaratë që bën sens, nëse s’do të vihej përballë qëndrimit zyrtar të kreut të partisë Basha, i cili e ka thënë disa herë se Partia Demokratike s’do të ketë pushime vere dhe se protestat do të vijojnë edhe kur të tjerët të kenë veshur kostumet e banjos.

Ky ilaritet qëndrimesh, kjo rrëmujë idesh dhe tezash, shoqëron edhe pikat e tjera të krizës politike në kampin opozitar. Një e tillë është ajo që ka të bëjë me dialogun me shumicën. Ndërsa pritej që pas zgjedhjeve të kishte një shans të ri për bisedime e negociata mes palëve, aktualisht Basha është i zënë me ndërtimin e një alibie për gjendjen ku e ka futur opozitën, duke i lënë Ramës luksin e vogël e të bërit xhiro nëpër forumet e PS në Tiranë dhe në rrethe, për “të verifikuar si shkojnë punët”.

Ky bllokim punon natyrshëm dhe më së pari kundër interesave të vendit. Por nëse do të zbrisnim në nivelin e llogarive meskine të partive politike, të cilat bëjnë zakonisht më shumë potere sesa interesat e Shqipërisë, mund të shquhet qartë se periudha që po pason 30 qershorin vetëm sa konfirmoi edhe një herë atë që dihej: opozita e ka futur me duart e veta anijen e saj në cektinën e rrezikshme të verës. E megjithëse po përbetohet se nuk ka ndodhur asgjë, se ka fituar, se është aty ku duhej të ishte, mos e merrni shumë seriozisht. Ndodhemi edhe një herë, pas dy vitesh nga Çadra, në pozitën qesharake, kur pas vënies së kushteve, Lulzim Basha ndodhet në fund të gropës që hapi me duart e veta. Nga kushtet, tani ka kaluar në thirrjet për ndihmë. Dhe siç dihet, në këto raste ndihma ka gjithmonë çmim të lartë!